Ndërlidhjet

Clinton apelon për ndryshime në opozitën siriane


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duan të shohin ndryshime në udhëheqjen e opozitës së Sirisë.

Duke folur gjatë një vizite në Kroaci, Clinton ka thënë se ka ardhur koha që të lëvizet përtej lidershipit të Këshillit Kombëtar Sirian, i cili ndodhet në ekzil.

“Ne e kemi bërë të qartë se Këshilli Kombëtar i Sirisë nuk mund të shihet më si udhëheqës i qartë i opozitës. Ai mund të jetë pjesë e një opozite të madhe, por ajo opozitë duhet të përfshijë njerëz brenda Sirisë dhe të tjerë që kanë një zë legjitim, që duhet të dëgjohet”, ka deklaruar Clinton.

Sekretarja amerikane ka thënë se një takim ndërkombëtar, që do të mbahet javën e ardhshme në Katar, do të jetë një mundësi e mirë për të zgjeruar koalicionin kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Clinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë rekomanduar tashmë emrat dhe organizatat që Uashingtoni beson se duhet të përfshihen në një strukturë të re të udhëheqjes së opozitës siriane.

Revolta popullore në Siri ka nisur në mars të vitit të kaluar. Rebelët duan largimin e Assadit nga pushteti. Sipas aktivistëve, mbi 35,000 persona kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet kryengritësve rebelë dhe forcave qeveritare.
XS
SM
MD
LG