Ndërlidhjet

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luftojnë problemet nga Sandy

  • RFE /RL

Pasojat e stuhisë Sandy

Pasojat e stuhisë Sandy

Rreth 500 pacientë javë evakuuar nga një tjetër spital i Nju Jurkut për shkak të dëmeve që ka shkaktuar uragani Sandy.

Majori Michael Bloomberg ka thënë se bëhet fjalë për qendrën spitalore Bellevue në Manhattan.

Raportet thonë se stuhia ka përmbytur bodrumin e spitalit, duke shkaktuar probleme për gjeneratorët e energjisë elektrike.

Bellevue, i themeluar në vitin 1736, është spitali më i vjetër publik në Shtetet e Bashkuara.

Të paktën dy spitale të tjera të Nju Jorkut janë detyruar të evakuojnë pacientët për shkak të shkatërrimeve nga stuhia.

Më shumë se 20 njerëz raportohet të kenë humbur jetën nga stuhia Sandy në Nju Jork, e cila ka lënë edhe miliona njerëz pa energji elektrike, ka përmbytur stacionet e metrosë së qytetit dhe ka shkaktuar zjarre. Mbi 20 viktima janë raportuar në pjesë të tjera.

Zyrtarët thonë se shërbimi i metrosë rikthehet sot, ndonëse me kapacitet të kufizuar. Aeroporti LaGuardia i Nju Jorkut po ashtu pritej të rihapej.

Me gjithë shkatërrimet dhe vështirësitë e vazhdueshme që ka shkaktuar stuhia, majori Bloomberg ka thënë se maratona e Nju Jorkut do të mbahet të dielën, ashtu siç është paraparë.

Sipas tij, zyrtarët presin që energjia elektrike të rikthehet plotësisht të dielën, duke bërë të mundur zhvillimin e garës.

“Njerëzit kanë pyetur për maratonën. Janë dhjetëra mijëra njerëz që kanë ardhur nga e gjithë bota për të garuar dhe ne do ta mbajmë maratonën”, ka thënë Bloomberg.

Rreth 47,500 njerëz kanë vrapuar vitin e kaluar në Maratonën e Nju Jorkut, e cila është më e madhja në botë.

Stuhia ka prekur edhe punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli është mbledhur në një lokacion të përkohshëm për shkak të dëmtimit në seli.

Pesëmbëdhjetë anëtarët e tij kanë zgjatur misionin e paqeruajtësve të Unionit Afrikan në Somali.

Shkalla e dëmeve në selinë e Këshillit në Nju Jork nuk është e qartë.

Sandy ka zbarkuar të hënën në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, duke goditur më rëndë Nju Jorkun dhe Nju Xhërsin. Ai ka ardhur nga rajoni i Karaibeve ku ka lënë mbi 50 njerëz të vrarë.

Presidenti Barack Obama dhe sfiduesi i tij, Mitt Romney, do të rinisin fushatën gjatë ditës së sotme. Obama ka lënë mënjanë fushatën e tij gjatë tre ditëve të fundit, për t’u përqendruar në reagimin e qeverisë ndaj uraganit.
Romney po ashtu ka ndërprerë fushatën për tre ditë.

Amerikanëve u kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm më 6 nëntor.(v.t.)
XS
SM
MD
LG