Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Nuk i harrojmë tmerret e Serbisë, por duhet të bisedojmë


Kryeministri Hashim Thaçi në Parlament (Foto nga arkivi)

Kryeministri Hashim Thaçi në Parlament (Foto nga arkivi)

Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet reciproke dhe ndërtojnë perspektivën e qartë evropiane, tha të enjten kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente ai i bëri para Kuvendit të Kosovës, ku ai bëri një njoftim publik në lidhje me takimin e zhvilluar më 19 tetor në Bruksel, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, i zhvilluar me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherinë Ashton.

Procesi i ri i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i mbështetur nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga pjesa dërmuese e spektrit politik të Kosovës, tha Thaçi.

Para takimit me kryeministrin Daçiq, vijoi Thaçi, ai kishte zhvilluar një bisedë paraprake me baroneshën Ashton, e cila kishte prezantuar disa pikëpamjet për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe zgjidhjen e disa çështjeve reciproke, të cilat sipas tij, janë të pranueshme për Kosovën.



Në fjalimin e tij para Kuvendit, Thaçi tha se nuk ka ndonjë nostalgji apo dëshirë për të takuar lidershipin aktual të Serbisë, por ky proces, sipas tij, tani është në interes të Kosovës dhe procesit të saj integrues.

“Unë, personalisht, nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për t’i takuar udhëheqësit e një shteti që kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në përmasat e gjenocidit për qytetarët e vendit tim. Kujtesa jonë për viktimat e luftës të shkaktuara nga Serbia, kujtesa jonë për bijtë dhe bijat më të mirë që kanë rënë në altarin e lirisë, kujtesa për mijëra njerëz të zhdukur do të mbetet gjithmonë e freskët. Kurrë nuk do ta harrojmë tmerrin dhe dhimbjen e shkaktuar nga Serbia”, deklaroi Thaçi.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e diplomacisë amerikane në këtë proces të ri dialogu me Serbinë, sipas kryeministrit Thaçi, paraqet një garanci të plotë për Kosovën se bisedimet do të jenë të barabarta dhe në interesin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi përmendi të gjitha temat, që sipas tij, janë kërkuar të diskutohen dhe gjinden zgjidhje nga ana e baroneshës Ashton në takimin e parë në nivel kryeministrash në Bruksel.

“Çështjet që janë ngritur nga baronesha Ashton dhe diskutuar nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë janë: zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë , zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, zhbërja dhe largimi i plotë nga Kosova i strukturave paralele të financuara nga Serbia, mospendimi nga Serbia i Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata e forume ndërkombëtare, mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë”, numëroi disa nga këto tema Thaçi.

Pas informatës së kryeministrit, gjatë debatit parlamentar, partitë politike përfshirë edhe ato opozitare, duke e përjashtuar Vetëvendosjen, e përshëndetën vendimin e kryeministrit për ta njoftuar Kuvendin në lidhje me takimin e 19 tetorit.

Madje, Vetëvendosje, përmes deputetit Visar Ymeri, e cilësoi takimin e Thaçit me Daçiqit, si takim kriminal.

Takimi me Ivica Daçiqin është takim kriminal. Ky person, Ivica Daçiq si zëdhënës dhe bashkëpunëtor më i ngushtë i Millosheviqit, ka qenë drejtpërsëdrejti i inkorporuar dhe përfshirë në të gjitha planet kriminale për shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova. Pra, ky është ai që në bashkëpunim me babanë e vet politik Millosheviqin kanë planifikuar. Dhe, tash kryeministri i ynë shkon dhe e takon të njëjtin person, buzëqeshet me të para kamerave, ia shtrin dorën dhe asnjëherë nuk i vë kurrfarë kushti atij”, theksoi Ymeri.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi konfirmoi se takimi i radhës me autoritetet e larta serbe do të mbahet këtë muaj.

Sido që të jetë, kryeministri i Kosovës siguroi deputetët se parimet dhe platforma bazë e palës kosovare në bisedimet me Serbinë do të jenë Kushtetuta dhe rezoluta e miratuar në Kuvend, duke mos pranuar të diskutohen tema me Serbinë që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG