Ndërlidhjet

Vetëvendosje padi kundër ministrit Bajram Rexhepi


Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një fjalimi në Prishtinë (23 tetor 2012)

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një fjalimi në Prishtinë (23 tetor 2012)

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar padi penale në Prokurorinë komunale të Prishtinës, kundër Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në lidhje me ngjarjet e 17 tetorit të këtij viti, kur deputetë të këtij subjekti politik, thuhet se nuk janë lejuar të hyjnë në hapësirat e ndërtesës së Kuvendit.

Padia drejtohet edhe kundër një truproje të kryeministrit dhe disa truprojave të kabinetit qeveritar, pastaj policëve të njësisë speciale dhe kundër eprorit të njësisë speciale përgjegjës për njësinë speciale që ka intervenuar.

“Kjo padi lidhet me ngjarjet e datës 17 tetor 2012, ku deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Albana Gashi, Afrim Hoti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca, janë ndaluar për të hyrë në hapësirat e kompleksit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Këta deputetë më pas janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë, duke pasur qëllim të jenë prezent në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës së Privatizimit të Distribucionit të KEK-ut, thuhet në komunikatë.

“Grupi i deputetëve me të afruar pranë hyrjes së objektit të Qeverisë janë ndaluar nga truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës që janë të angazhuar për sigurimin fizik të institucioneve publike. Deputetët pasi kanë prezantuar kartelat e deputetëve me qëllim për të hyrë në objektin e qeverisë dhe shpjegimit të së drejtës së tyre ligjore për të pasur qasje në institucione publike, truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë lejuar hyrjen e deputetëve në objektin e qeverisë. Deputetët e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë respektuar të gjithë procedurën për identifikim dhe janë thirrur në të drejtën për qasje në hapësirat e institucioneve publike, janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga sigurimi personal i anëtarëve të kabinetit të qeverisë dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës”, thuhet në sqarimet që ka dhënë Vetëvendosje.

Duke u thirrur në dispozita ligjore kjo parti politike ka vendosur t’i padisë ministrin Rexhepi dhe personat që i konsideron si fajtor për këto zhvillime ditën e 17 tetorit, njofton Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG