Ndërlidhjet

logo-print
Autoritetet maqedonase ende nuk kanë zbardhur përgjigjen ndaj Memorandumit për mirëkuptim të Greqisë për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, duke respektuar integritetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe duke hequr dorë nga veprimet që mund të nxisin urrejtje dhe armiqësi mes dy popujve.

Ndërsa, sa i përket çështjes së emrit, pala greke kërkon që secili propozim i ri të dallojë të qartë mes emrit të Maqedonisë dhe rajonit në Greqinë Veriore, që po ashtu quhet Maqedoni, gjë që nënkupton ndërrim të emrit aktual të Republikës së Maqedonisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, nuk ka dhënë detaje rreth përmbajtjes së përgjigjes, por ka theksuar se institucionet do t’i respektojnë të gjitha obligimet që nevojiten për raporte të mira me të gjitha shtetet, përfshirë dhe Greqinë.

Poposki ka thënë se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen si bilaterale, ndërsa aspirata evropiane e vendit duhet të jetë faktor lehtësues për kapërcimin e problemit me Greqinë.

“Ne, gjithmonë i kemi respektuar obligimet tona, aktivisht kemi vepruar ndaj çdo obligimi, përfshirë edhe dialogun e hapur, të cilin dëshirojmë ta kemi me të gjithë fqinjët tanë, madje edhe me Republikën e Greqinë”, ka deklaruar Poposki.

Nga VMRO-DPMNE-ja, në pushtet, thonë se do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për t’i bindur edhe fqinjët, por edhe Bashkimin Evropian, se Maqedonia pa asnjë kushtëzim meriton fillimin e bisedimeve.

“Këtu ne nuk duhet të shpikim asgjë të re, por duhet të shfrytëzohen dy dokumentet ndërkombëtare objektive, i pari është raporti i Komisionit Evropianit dhe i dyti që është edhe përgjigje ndaj memorandumit të Greqisë ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me Marrëveshjen e përkohshme, të cilën Greqia e ka shkelur”, thotë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Por, deklaratat e këtilla, e në veçanti ajo e Poposkit, nxjerr edhe dilemat nëse Maqedonia pajtohet me rekomandimin e Komisionit Evropian lidhur me fillimin e bisedimeve për anëtarësim, që duhet të shqyrtohet në samitin e dhjetorit të BE-së.

Kontestuese mbetet zgjidhja e çështjes së emrit në fazën më të hershme të negociatave.

“Unë mendoj se këtij pushteti është shumë vështirë t’i besohet pasi dy-tri herë në të kaluarën ka pasur mesazhe të rrejshme se gjoja për një kohë të shkurtër do të zgjidhet problemi i emrit dhe më pas gjithçka ka dështuar apo janë arsyetuar me diçka gjoja të pranueshme. Edhe në këtë rast mendoj se mesazhet e fundit janë një lloj injorimi i memorandumit grek”, shprehet Mersel Bilalli, njohës i zhvillimeve ndërkombëtare.

Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Denko Maleski, nuk pret asnjë zhvillim në raport me memorandumin e Greqisë që mbështetet edhe nga komuniteti ndërkombëtar në drejtim të zgjidhjes së kontestit ndërmjet dy vendeve.

“Pala jonë do të bëje të njëjtën që bëri pala greke, në fakt të gjitha çështjet që favorizojnë pozicionin tonë politik, përfshirë edhe vendimin e GJND-së, do t’i përmbajë përgjigja. Por, veprimet e këtilla nuk mund të vlerësohen si bisedime serioze, pasi do të kemi vetëm pozicionim të dy politikave, të cilat nuk po mund të gjejnë dalje nga situata”, vlerëson Maleski.

Edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, në një intervistë për mediat maqedonase i ka bërë thirrje Qeverisë që sa më parë t’i përgjigjet Memorandumit grek.

“Greqia është anëtare e jona. Ajo ka bërë një hap, tani Qeveria juaj duhet t’i përgjigjet edhe atë në një kohë sa më të shkurtër”, ka porositur ambasadori i BE-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG