Ndërlidhjet

Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë ka marrë vendim për tërheqjen e teksteve shkollore të lëndës së Muzikës të shkollave fillore, si pasojë e gabimeve të shumta gjuhësore të përfshira në këto libra, gjatë përkthimit në gjuhën shqipe nga ajo maqedonase, gjithashtu edhe nga anashkalimi i autorëve shqiptarë, si dhe mungesa e leksioneve për muzikën burimore shqiptare.

Kryetari i Lidhjes së Artistëve të Muzikës Shqiptare në Maqedoni, Adem Ymeri, thotë se duhet të korrigjohen të gjithë librat aktual të lëndës së Muzikës, ngase pos gabimeve në përkthim, ka gabime edhe në aspektin pedagogjik, meqë këngët maqedonase janë përkthyer pa pasur kujdes në shkallën e notave muzikore.

“Librat e punuar nga profesionistë të lëmit të muzikës nga autorë maqedonas i kanë dedikuar dhe për fëmijët maqedonas. Është e kuptueshme se ata janë përgjegjës vetëm për palën maqedonase. Sipas asaj që kam kuptuar gjatë botimit të librave të muzikës para një viti, në shpejtësi është urdhëruar nga ish-ministri i Arsimit, Todorov, që librat e njëjtë të përkthehen edhe në gjuhën shqipe dhe të jenë në duart e nxënësve me një shtator”.

“Mangësitë janë evidente, veçanërisht këngët janë të shkruara në gjuhën maqedonase për fëmijët maqedonas dhe pastaj MASH-i i ka përkthyer fjalë për fjalë, pa mbajtur llogari për tërësin logjike. Kështu që automatikisht libri është i pavlefshëm nëse përkthehet fjalë për fjalë, këngët pa metrikë, pa dinamikë, pa respektuar notat”, vlerëson Ymeri.

Libra...

Libra...

Ai thekson thekson se autorët shqiptarë tërësisht janë anashkaluar, si në tekstet shkollore të klasave të ulëta të arsimit fillor, ashtu edhe në librat e shkollave të mesme.

“Autorët shqiptarë në këta libra fare nuk ekzistojnë, dëgjimi i muzikës shqipe është anashkaluar tërësisht. Nuk ka asnjë këngë ose autor shqiptar, siç është Zadeja apo Dhomi, që të mësohet në leksionet e librave shkollore nga lënda e Muzikës”, thekson Ymeri.

Pedagogët e muzikës jo rrallë përdorin tekste nga lënda e Muzikës nga autorë të ndryshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencave njofton se është formuar dhe një grup i veçantë që merret me shqyrtimin e këtyre problemeve dhe pritet vendimi i Komisionit Nacional për botimin e librave të rinj.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, i ka ftuar pedagogët shqiptarë që të paraqiten në konkursin për përpilimin e plan-programeve mësimore.

“Do të kisha apeluar te të gjithë ata autorë të interesuar, si bashkëpunëtorë profesionalë të jashtëm, të paraqiten në byronë nacionale të Arsimit në Maqedoni për ta ndihmuar procesin e përpilimit të plan-programeve”, thotë Neziri.

Mirëpo, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, si problem fokuson faktin se konkursi, sipas ligjit, është vetëm në gjuhën maqedonase dhe autorët shqiptarë që në start diskriminohen, sepse duhet të bëjnë dyfish punë, meqë librat me të cilët konkurrojnë, duhet të jenë të përkthyer në gjuhën maqedonase, edhe pse anëtarët e komisionit nga presioni i politikës, kanë thënë se do t`i i përfillin edhe librat konkurrent vetëm në gjuhën shqipe.

Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, zgjidhjen e problemit e sheh në përzgjedhjen e librave nga grup autorësh të dy etniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve.

...kemi propozuar që tekstet shkollore të përzgjidhen nga grup autorësh të kombinuar të përkatësisë maqedonase dhe asaj shqiptare dhe përpilimi i teksteve të bëhet bashkërisht...

“Vështirë se konkurrojnë autorët shqiptarë, sepse është Ministria e Arsimit dhe Shkencës ajo që i shtyp tekstet shkollore dhe meqë janë pak tekste shkollore dhe vetëm një tekst shkollor merr licencë nga byroja e zhvillimit, do të thotë nga komisioni nacional merr vizë vetëm një tekst shkollor për lëndët përkatëse, ju mund ta llogarisni se a do të kalojë teksti i një autori shqiptarë apo maqedonas”.

“Prandaj, ne si Lidhje e Arsimtarëve Shqiptarë kemi propozuar që tekstet shkollore të përzgjidhen nga grup autorësh të kombinuar të përkatësisë maqedonase dhe asaj shqiptare dhe përpilimi i teksteve të bëhet bashkërisht. Në këtë formë besojmë se do të evitohen gabimet e shumta”, nënvizon Dardhishta , duke shtuar se është i madh numri i recensentëve, të cilët nuk pranojnë të vënë firmën në librat aktualë:

“Recensentët kanë më së shumti përgjegjësi nëse teksti ka gabim. Kështu që është numri i madh i recensentëve që pasi kanë konkurruar, tërhiqen, përfshirë këtu dhe maqedonasit, sepse pagesa është shumë e vogël kurse përgjegjësia është e madhe. Thjesht, është bërë e vështirë dhe gjetja e recensentëve, andaj them se problemi mund të zgjidhet përmes përzgjedhjes së librave të përpunuara nga grup autorësh”.

Probleme të shumta me tekstet shkollore viteve të fundit janë shfaqur edhe në lëndën e Historisë dhe atë të Gjeografisë, në të cilat, pos gabimeve teknike, ka dhe shumë të pavërteta për historinë e shqiptarëve, ku edhe fyhen qytetarët shqiptarë.

Lexoni edhe këtë:

Të rinjtë në vendet e ish-Jugosllavisë nuk po mësojnë të vërtetën mbi të kaluarën e afërt

Trego komentet

XS
SM
MD
LG