Ndërlidhjet

Modeli i dy Gjermanive, jo interesant për partitë politike


Flamuri i Gjermanisë

Flamuri i Gjermanisë

Aplikimi i modelit të dy Gjermanive në rastin e Kosovës dhe Serbisë, nuk parapëlqehet nga përfaqësuesit e partive politike.

Ideja e një traktati të tillë, besohet se do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë që pa e njohur njëra tjetrën të krijojnë një normalizim marrëdhëniesh duke i mundësuar Kosovës të anëtarësohet edhe në Kombet e Bashkuara.

Por, përfaqësuesit e partive politike, duket të jenë kategorik se nuk e pëlqejnë këtë model.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë duhet të respektojë Kushtetutën dhe Rezolutën e Kuvendit, duke mos e komentuar nëse një traktat i tillë do të ishte në kundërshtim me këto akte.

Jetojmë në kushtet e demokracisë dhe nga çdo kush mund të dëgjojmë ide nga më të ndryshmet, por ajo që është e rëndësishme duhet t’i referohemi dhe ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Duhet të mësohemi dhe respektojmë miqtë tanë, në rastin konkret Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Po ashtu, duhet të kemi besim të plotë sepse që nga Rambuje, Vjena e deri më sot, Kosova gjithnjë ka dalë e fitimtare”, është shprehur Grabovci, duke mos u përgjigjur direkt në çështjen e modelit Gjermani Federale – Gjermani Lindore.

Modeli i dy Gjermanive, së fundmi, ishte cilësuar si mjaft interesant nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri thotë se nuk sheh ndonjë arsye për aplikimin e një modeli të tillë.

Ne e kemi Kushtetutën që ka buruar nga Pakoja e Presidentit Ahtisari. Kosova e ka rregullimin e saj kushtetues dhe nuk shohim asnjë arsye që tash të zbulojmë modele, sepse del nesër dikush e na tregon edhe për ndonjë model tjetër”, thotë Beqiri.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tërheq vërejtjen për kujdesin që institucionet e Kosovës duhet të kenë kur mbështeten eventualisht në aplikimin e modeleve në rastin e Kosovës dhe Serbisë, marrë parasysh pasojat që mund të përcjellin më pas procesin e nisur të normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

Mendoj se në fillim të këtij procesi është herët të përmenden modelet përfundimtare të cilat do të mund të arriheshin. Mendoj që ky proces do të duhej të sjell deri te njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia, eventualisht, dhe reciprokisht njohja e Serbisë nga Kosova”.

Sidoqoftë, mendoj që kemi hyrë në një proces dhe çfarëdo ideje që del duhet të thuhet me kujdes sepse janë ide përfundimtare të cilat ndoshta edhe mund të mos i ndihmojnë procesit”, thotë Gjini.

Se bashkësia ndërkombëtare do të dëshironte të shtynte përpara idenë e aplikimit të modelit të dy Gjermanive në rastin e Kosovës dhe Serbisë, këtë së pari e pati përmendur drejtori i KIPRED-it, Ilir Deda në një intervistë për Radion Evropa e Lirë qysh para dy vjetësh.

Edhe sot, ai thotë se njerëzit duhet ta kenë të qartë fillimisht që ky model në rastin e dy Gjermanive nuk ishte aplikuar për bashkimin, por ndarjen e tyre.

Traktati i aplikuar në fillim të viteve të 70-ta, vijon Deda, u ka mundësuar të dy Gjermanive që të anëtarësohen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera pa e njohur njëra tjetrën dhe duke funksionuar me një rregullim normal të raporteve reciproke.

Në kontekstin Kosovë – Serbi, ky model do të shfrytëzohej që Serbia dhe Kosova të mos njihen njëra me tjetrën, por të kenë marrëdhënie si dy shtete të pavarura, dhe të hapej rruga që Republika e Kosovës të bëhet pjesë e OKB-së dhe e gjitha organizatave tjera ndërkombëtare. Por, që të mbërrihet deri te kjo pikë nevojitet konstruktiviteti i Serbisë”, thotë Deda.

Marrë parasysh qëndrimin kategorik të Serbisë për mospranimin e shtetit të Kosovës, Ilir Deda e sheh si shumë të vështirë aplikimin e këtij modeli në rastin Kosovë – Serbi.

Ky model, ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ajo bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, thotë Deda.

Aplikimi i një marrëveshjeje të tillë, sipas tij, mund të arrihet vetëm me një trysni të madhe ndërkombëtare mbi Serbinë.

Do të ishte zgjidhje e përkohshme. Është zgjidhje deri në momentin kur Serbia bëhet pjesë e Bashkimit Evropian kur ajo duhet ta njeh pavarësinë e Kosovës. Kurse kjo është një fazë tjetër e rregullimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të zgjasë 10 – 15 vjet, por megjithatë do të duhej ta mundësonte funksionimin e Kosovës si shtet dhe legjitimitetin e plotë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thekson Deda.

Përfaqësuesit e diplomacisë evropiane në shumë raste e kanë përmendur mundësinë që Kosova dhe Serbia të bisedojnë deri në normalizimin e marrëdhënieve, duke mos i vënë kusht Serbisë njohjen e shtetit të Kosovës.

Në interpretimet që në Prishtinë dëgjohen nga analistë të ndryshëm, një model i tillë që do të pajtonte Serbinë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara besohet se do të kërkonte si kundërshpërblim një qasje tjetër të Kosovës në raport me pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG