Ndërlidhjet

Thaçi: S'do ketë bisedime për status


Hashim Thaçi, Catherine Ashton, Ivica Daçiq

Hashim Thaçi, Catherine Ashton, Ivica Daçiq

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e nesërm me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel do të bisedojë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, por nuk do të flitet për statusin e Kosovës.

Në konferencën për gazetarë në Zagreb, pas takimit me kryeminstrin kroat, Zoran Millanoviq, Thaçi ka theksuar problemet që duhet t’i zgjidhë Beogradi, në mënyrë që dialogu të ketë sukses.

“E para që duhet të ndodhë është zbatimi i marrëveshjeve teknike tëë arritura në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në dy vitet e kaluara dhe ajo që duhet të ndodhë në mënyrë urgjente është largimi i strukturave paralele të sigurisë, mbetjet e Millosheviqit në Kosovës, për të cilat gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia”, ka thënë Thaçi, për të shtuar se një çështje tjetër që në mënyrë urgjente të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë.

I pyetur, nëse është i gatshëm që me Daçiqin të flasë për platformën e Serbisë për Kosovën, Thaçi ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë morale, politike e as ligjore që të zgjidhë çështjen e Kosovës.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri i Kosovës do të udhëtojë nga Zagrebi në Bruksel, ku nesër do të marrë pjesë në takimin e radhës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Kroacisë Zoran Millanoviq ka thënë se beson se qeveria në Beogard do të jetë pragmatike në bisedimet me Prishtinën.

Ai ka thënë se Kroacia është e gatshme që të ndihmojë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, po që se të dy palët kanë besim, por, që nuk dëshiron që këtë gjë ta imponojë.
XS
SM
MD
LG