Ndërlidhjet

logo-print

Amerikanët zgjedhin presidentin

  • RFE /RL

Votimet në SHBA

Votimet në SHBA

Në Shtetet e Bashkuara janë duke u zhvilluar zgjedhjet presidenciale. Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Barack Obama, dhe kandidati republikan, Mitt Romney.

Romney ka hedhur sot votën në Masaçusets, ndërsa Obama ka votuar në Illinois më herët.

Presidenti u është drejtuar sot gazetarëve, pas një ndalese të shkurtër që ka bërë në një zyrë të Partisë Demokratike në Çikago.

“Unë vetëm dua t’i them faleminderit popullit amerikan. Është burim i optimizmit të madh për mua”, ka thënë Obama, duke përgëzuar edhe kundërshtarin e tij për garën e fuqishme zgjedhore.

Do të pres rezultatet. Pres të kemi një natë të mirë, por, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, unë dua të theksoj se sa shumë vlerësoj secilin që më ka mëbshtetur, secilin që ka punuar me mua. Dua të përgëzoj edhe guvernatorin Romney dhe ekipin e tij për një garë të fuqishme”, ka thënë Obama.

Shumica e vendvotimeve janë hapur në orën 6:00, ndonëse disa amerikanë kanë shfrytëzuar mundësinë ligjore që të votojnë më herët.

Qytezat Diksvill Noç dhe Harts-Llokejshën kanë lejuar votuesit e tyre që t’iu drejtohen kutive të votimit menjëherë pas mesnatës.

Votat janë numëruar menjëherë. Në Diksvill Noç, presidenti Obama ka marrë pesë vota, njësoj sikurse edhe rivali i tij republikan, Mitt Romney. Ndërkaq, në Hart-Llokejshëm, Obama ka dalë në epërsi me 23 vota, kundrejt Romneyt, i cili ka marrë 9 vota.

Korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Courtney Brooks, ka qëndruar në Stejtën Ajllënd, njërën nga pesë lagjet kryesore të Nju Jorkut, njëherësh zona e goditur më së rëndi nga uragani i javës së kaluar – Sandy.

Brooks ka raportuar për reagimet e qytetarëve.

Reagimet kanë qenë të përziera. Carla, 56 vjeçe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka votuar për Romneyn. Sipas saj, Obama ka treguar veten të ngathët në shumë pika. Ndërkaq, Andrea, 34 vjeçe, ka thënë se ka votuar për Obamën, ashtu si edhe në vitin 2008. Ajo ka thënë se ka qenë krenare me përgjigjen e Obamës ndaj stuhtisë dhe se është përcaktuar në favor të tij qysh kohë më parë”.


Shtetet e lëkundura


Shumica e sondazheve kanë treguar kandidatët në garë të ngushtë me njëri-tjetrin në votën popullore, por, megjithatë, fituesin e përcaktojnë votat e Kolegjit Zgjedhor.

Një kandidati i duhet të marrë shumicën e votave në secilin shtet, plus në Uashington D.C., për të siguruar të paktën 270 vota elektorale për të fituar.

Këto vota u caktohen shteteve dhe kryeqytetit amerikan në bazë të numrit të popullsisë.

Sondazhet sugjerojnë se Obama është duke kryesuar shumë ngushtë në raport me Romneyin në shumicën e vendeve që konsiderohen si të “papërcaktuara”.

Shtetet e tilla janë: Florida, Ohajo, Virxhinia dhe Kolorado. Gara në Miçigen, Pensilvani dhe Nju Meksiko është po ashtu e ngushtë.

Steven Roberts është profesor në Universitetin “George Washington” dhe analist politik për Radion ABC në Shtetet e Bashkuara. Ai ka folur për Radion Evropa e Lirë në lidhje me rëndësinë e votave në disa shtete.

Janë rreth shtatë ose tetë shtete që do të vendosin. Ato janë shtetet që kanë qenë në qendër të politikave amerikane për kohë të gjatë – Ohajo, Virxhinia, Kolorado dhe disa të tjera. Obama ka dy avantazhe të mëdha në këto shtete. Njëri është demografia. Vota e hispanikëve shkon për të, sidomos në Kolorado dhe Nevada. Avantazhi tjetër është ekonomia, e cila është mjaft e ndritshme në disa prej këtyre shteteve, krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Pra, harta favorizon Obamën në këtë pikë”, thotë Roberts.

Amerikanët sot votojnë edhe për ligjvënësit nga shtetet e tyre, përkatësisht për 33 ulëse nga Senati 100-vendesh dhe për 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve. (v.t.)


XS
SM
MD
LG