Ndërlidhjet

Cenimi i gjyqësorit përmes financave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në kohën kur sistemi gjyqësor i Kosovës vazhdon të jetë një nga segmentet ndaj të cilit adresohen shumica e kritikave nga mekanizmat ndërkombëtarë, qeveria dhe Kuvendi konsiderohet të mos kenë ofruar ndihmën e nevojshme financiare për pavarësinë, efikasitetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin e plotë të tij.

Në raportin e fundit të publikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësoi se “buxheti i vogël i shtetit nuk paraqet problem për financimin e gjyqësorit”, por se kjo ka të bëjë më shumë me “nënvlerësimin” që pushteti ekzekutiv e legjislativ ia bëjnë gjyqësorit.

Në dokumentin me titull: “Pavarësia e Gjyqësorit në Kosovë: Analizë e Pavarësisë Financiare Institucionale dhe Individuale” thuhet se ndarja e buxhetit për gjyqësorin kosovar “nuk bëhet në bazë të ndonjë modeli më të avancuar me indikatorë të qartë” por se bëhet “sipas një kalkulimi të thjeshtë të rritjes së buxhetit për një përqindje të caktuar”.

Betim Musliu, njëri nga hartuesit e analizës tha se përkrahja buxhetore për sistemin e gjyqësisë në Kosovë është aq e pamjaftueshme sa që vetëm siguron mbijetesën e tij.

Përkrahja buxhetore prej 16-18 milionë euro në vit, ku 89% e shpenzimeve janë shpenzime operative, nuk paraqet ndonjë përkrahje për zhvillimin e gjyqësorit, por thjesht paraqet një përkrahje vetëm sa për mbijetesën e tij”, tha ai në një konferencë për media.

Por, Daut Xhemajli, zëvendësministër i drejtësisë, hodhi poshtë kritikat që flasin për ndikimin financiar të ekzekutivit në punën e gjyqësorit duke thënë se qeveria nuk ka pasur qasje selektive për gjyqësorin e Kosovës, Gjykatën Kushtetuese apo Avokatin e Popullit.

Ndërhyrja arbitrare (kundërligjore) nga MEF-i (Ministria e Ekonomisë dhe Financave) nuk besoj se ka pasur apo se ka. Ka pasur dhe duhet të ketë kontroll të menaxhimit të buxheteve nga secila njësi buxhetore veç e veç”, u shpreh ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkoi sigurimin e pavarësisë financiare institucionale dhe individuale për gjyqësorin, ndërsa Këshillit Gjyqësor të Kosovës
i kërkoi të jetë më i zëshëm për shqetësimet e sistemit gjyqësor në raport me dy
pushtetet tjera.

Instituti vlerësoi se procesi i ri-emërimit dhe emërimit të gjykatësve kishte filluar “pa pasur ofertë të qartë për kandidatët, pasi që rritja e pagave nga mesatarisht 500 Euro në 1,000 Euro në muaj për gjykatësit ishte vendosur tek pas përfundimit të këtij procesi”. Rrjedhimisht thuhet se mungesa e interesimit të kandidatëve të kualifikuar dhe me kualitet të lartë ka rezultuar në fund të procesit me 98 pozita të gjykatësve të paplotësuara.

Kreu i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, shfaqi shpresën që me vazhdimin e procesit të riemërimit të gjykatësve të përmirësohet puna në gjyqësor për të shmangur shkeljen e të drejtave të njeriut duke ofruar, siç tha ai, drejtësi të vonuar.

Kohëve të fundit ne e kemi përafruar numrin e gjyqtarëve që duhet të funksionojnë-jo me numër të mjaftueshëm, por në mënyrë që të funksionojmë më mirë me një efikasitet të shtuar. Po shpresoj se me një riorganizim sa u përket profesionistëve që do të punojnë në gjyqësor mund të ketë një sukses dhe besueshmëri më të mirë”, theksoi ai.

Kritikat që flasin për politizimin e sistemit gjyqësor në Kosovë kanë qenë sidomos të zëshme në raportet e Bashkimit Evropian, por edhe të mekanizmave të tjerë ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG