Ndërlidhjet

Brahimi: Siria rrezikon të shndërrohet në Somali


Lakhdar Brahimi
Lakhdar Brahimi
I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, ka shfaqur drojën se Siria mund të shndërrohet në një “Somali të re” nëse kriza nuk merr fund së shpejti.

Somalia është pa qeveri të efektshme qendrore qysh në vitin 1991.

Duke folur për gazetën al-Hayat, Brahimi ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes sektare dhe etnike të Sirisë. Disa vëzhgues kanë sugjeruar se minoriteti alavit i presidentit sirian, Bashar al-Assad, mund të formojë një shtet në verilindje të Sirisë.

“Njerëzit flasin për rrezikun e ndarjes në Siri. Unë nuk shoh ndarje”, ka thënë Brahimi për të shtuar:

“Nëse kjo çështje nuk trajtohet me korrektësi, rreziku është ‘somalizimi’ dhe jo ndarja – rënia e shtetit dhe shfaqja e milicive dhe grupeve luftarake”.

Vitet e luftimit në Somali ndërmjet klaneve rivale dhe komandantëve luftarakë, ashtu si edhe pamundësia për të trajtuar urinë dhe sëmundjet kanë, çuar në vdekjen e rreth 1 milion njerëzve prejse presidenti Siad Barre është përmbysur në vitin 1991.

Siria po përballet me revoltën popullore qysh në mars të vitit të kaluar. Aktivistët thonë se mbi 35,000 persona kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve që kundërshtojnë regjimin e Assadit.
XS
SM
MD
LG