Ndërlidhjet

Kacin: Të qartësohen vërejtjet e Dick Martyt


Jelko Kacin
Jelko Kacin
Nënpresidenti i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Jelko Kacin, ka thënë se vërejtjet e Dick Martyt duhet të sqarohen sa më parë që të jetë e mundur, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, në një raport të tijin, ka akuzuar udhëheqësit kosovarë të luftës, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi, për trafikim të paligjshëm të organeve të të burgosurve serbë.

Kacin, gjatë takimit në Bruksel me prokurorin special të Bashkimit Evropian për tregtinë e organeve dhe krimet e luftës, Clint Williamson, ka thënë se i ka ofruar mbështetjen e plotë ekipit të tij në hetimin e akuzave të Martyt.

“Të gjitha vërejtjet që përmban raporti i Dick Martyt duhet të qartësohen sa më parë, në mënyrë që të vazhdojë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Kacin, raportojnë mediat serbe.

Kacin po ashtu ka theksuar se çështja e të pagjeturve duhet të jetë pjesë e dialogut politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
XS
SM
MD
LG