Ndërlidhjet

Kryeministri Thaçi uron Obamën


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Përmes një telegrami, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka uruar rizgjedhjen e Barack Obamës edhe për katër vjet të tjera si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Si gjithmonë, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngjarje madhore jo vetëm në vendin tuaj, por në tërë botën, sepse ndikimi i vendit tuaj ka përmasa globale…Rizgjedhja juaj në krye të SHBA-ve për katër vitet e ardhshme, është mundësi e re e konsolidimit të politikave tuaja për ekonominë dhe prosperitetin e shoqërisë amerikane dhe thellimin e paqes në botë”, thuhet në telegram.

Më tutje në urimin e Thaçit thuhet se populli i Kosovës ka përcjellë me simpati zgjedhjet presidenciale dhe vazhdon të mbetet i magjepsur me fuqinë e shpirtit amerikan, që së fundi u përball me dinjitet edhe me uraganin Sandy, duke treguar kapacitetet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova dhe qytetarët e saj i janë mirënjohës SHBA- ve për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhënë si në të kaluarën, në ditët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen. Duke shprehur urimet më të sinqerta të Qeverisë së Kosovës dhe të qytetarëve të saj besojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën udhëheqjen tuaj do të shënojnë rritje edhe më të madhe ekonomike, prosperitet të gjithanshëm, si dhe do të vazhdojnë të jenë liderë të arritjeve teknologjike, të forcimit të paqes, përhapjes së lirisë dhe demokracisë në nivel ndërkombëtar”, thuhet, ndër të tjera, në telegramin e urimit të kryeministrit Thaçi drejtuar presidentit amerikan, Barack Obama.
XS
SM
MD
LG