Ndërlidhjet

Derisa po vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, grupi i ekspertëve ekonomikë "E15", i kërkoi qeverisë kosovare që në agjendën e këtij procesi të futen disa çështje që "kanë mbetur pezull" në mungesë të vëmendjes së duhur të institucioneve vendore dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.

Ky grup në një konferencë për media ka kërkuar që në bisedat me Serbinë të diskutohen për dëmet e luftës dhe pasurinë publike dhe private, pagat e humbura të 70 për qind të kosovarëve të punësuar në sektorin publik për 10 vite më radhë, të diskutohet borxhi i jashtëm dhe pasuria e ish Jugosllavisë si dhe shumë çështje tjera që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Hazir Gashi pjesëtar i grupit të ekspertëve “E15”, theksoi se nuk kundërshtojnë hapjen e dialogut me Serbinë, por kërkojnë që në këto bisedime të diskutohen çështje të rëndësishme që janë edhe ato ekonomike.

Në mesin e këtyre çështjeve bën pjesë edhe spastrimi i llogarive ekonomike me Serbinë. Borxhi i jashtëm dhe pasuria e ish Jugosllavisë, dëmet e luftës në pasurinë publike dhe private, pagat e humbura, pensionet e humbura dhe fondi pensional i uzurpuar, çështja e kursimeve devizore nëpër bankat e ish Federatës Jugosllave, dëmtimet në sistemin buxhetor të Kosovës si dhe dezinvestimet( shitja ose tërheqja për në Serbi e aseteve të investuar më parë”, thekson ai.

Grupi i ekspertëve “E15” thonë se nuk kanë ndonjë vlerë të saktë monetare për dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, por që sipas Gashit kjo do të duhej të bëhet në mënyrë institucionale dhe të dihet saktë se cili është dëmi.

Qysh mbas luftës është dashur të grumbullohen shënimet për të gjitha këto kategori. Menjëherë pas luftës organizatat e huaja kanë filluar mbledhjen e disa shënimeve, por pastaj nuk dinë askush ku janë ato shënime dhe a janë shfrytëzuar këto shënime. Thjesht mungojnë shënimet”, shprehet ai.

Autoritetet e Kosovës ende nuk kanë bërë ndonjë vlerësim zyrtar të dëmeve materiale, edhe pse, sipas të dhënave të disa ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës llogariten të jenë deri në 15 miliardë euro.

Grupi i eksperteve “E15”, gjatë konferencës për media ka prezantuar edhe një analize të bërë buxhetit të vitit 2013.

Ata vlerësuan se buxheti i vitit 2013, i miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk do të ketë ndikim të madh në situatën makroekonomike.

Shpërpjesëtimet makroekonomike janë në nivel të lartë dhe buxheti, sipas tyre, nuk po reflekton në përmirësimin e këtyre shpërpjesëtimeve makro ekonomike duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Buxheti i vitit 2013, i cili kap shumën prej 1 miliard e 586 milionë euro, është miratuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Ky projekt buxhet i është dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Alban Zogaj, pjesëtar i grupit të ekspertëve “E 15”, thotë se buxheti i vitit 2013 nuk paraqet rimëkëmbje ekonomike, përveç asaj që ka arritur t’i riparojë problemet që kishte Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2011.

Pavarësisht këtyre rikuperimeve, ne konsiderojmë se edhe ky buxhet i prezantuar nuk do të ketë ndikim të madh në situatën makroekonomike dhe shpërpjesëtimet makroekonomike, sepse ne konsiderojmë se shpërpjesëtimet makroekonomike janë në nivel të lartë dhe buxheti nuk po reflekton në përmirësimin e këtyre shpërpjesëtimeve makro ekonomike duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë”, shprehet Zogaj.

Qeveria e Kosovës në vitin 2010 kishte arritur marrëveshjen 18 mujore “Stand By Arrangement” me FMN-në, kjo e fundit e kishte ndërprerë më 2011 për shkak të një kontesti me Prishtinën, pas rritjes së pagave për shërbyesit civilë.

Punësimi që është një prej problematikave më të mëdha në Kosovë, sipas grupit të ekspertëve “E15” nuk adresohet seriozisht në buxhetin e vitit 2013.

Sipas Zogaj nuk ka një analizë të saktë sa ka të punësuar dhe çfarë politika ka qeveria në drejtim të përmirësimit të kësaj situate.

Sipas rezultateve të fundit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë llogaritet që 44.9 për qind e popullatës në Kosovë janë të papunë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG