Ndërlidhjet

Surprizat e zgjedhjeve amerikane


Ilustrim
Ilustrim
Që nga senatori i parë që u deklarua publikisht se është homoseksual e deri te votimi për përdorimin e marihuanës, zgjedhjet amerikane të 2012-ës u karakterizuan nga një varg surprizash.

Të listuara më poshtë janë shtatë nga më të vlefshmet apo- thjesht- më interesantet prej tyre:

Dallimet gjinore: Meshkujt dhe femrat kishin preferenca të fuqishme ose për Barack Obamën ose Mitt Romneyn. Rezultatet zgjedhore vunë në pah se meshkujt preferonin Romneyn me një margjinë prej 52 deri në 45 për qindësh. Ato tregonin se femrat preferonin Obamën me diku 55 deri në 44 për qind. Dallimi në përqindje i këtyre preferencave ishte i rëndësishëm, sepse femrat përbëjnë diku 54 për qind të elektoratit, duke i dhënë Obamës një përkrahje të fuqishme.

Senatoret femra: Kongresi i 113-të do të ketë të paktën 19 senatore femra-numër që është arritur për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Aktualisht në përbërjen e Kongresit janë 17 senatore që po ashtu është numër rekord i përfaqësimit të femrave në legjislativin amerikan.

Senatorja e parë homoseksuale: Tammy Baldwin, një demokrate nga Wisconsin, do të jetë senatorja e parë amerikane e cila u deklarua publikisht se është homoseksuale. Orientimi i saj seksual nuk ishte temë diskutimi gjatë zgjedhjeve deri në momentin kur në Twitter u publikua një video që tregonte Baldwinin duke vallëzuar në një paradë të homoseksualëve. Rivali i saj, Tommy Thompson, më vonë u distancua nga videoja që e kishte postuar ndihmësi i tij.

Gafe në çështjet e dhunimit: Dy kandidatë për senator humbën zgjedhjet pasi bënë komente për dhunimet, nga të cilat u ndje e fyer një pjesë e elektoratit. Todd Akin, një kandidat republikan nga Missouri, tha se në rastet e “dhunimit legjitim” trupi i një femre ka mundësi për ta parandaluar shtatzëninë. Përdorimi i fjalëve “dhunim legjitim” i kushtoi atij me humbjen e votave të elektoratit, meqë deklarata e tij tingëllonte sikur ai po akuzonte femrat për ankesat ndaj dhunimeve që s’kanë ndodhur kurrë. Richard Mourdock, një kandidat republikan nga Indiana, nuk u këndell nga pasojat që shkaktoi deklarimi i tij se shtatzënia e femrave gjatë dhunimit ishte një gjë “e dëshiruar nga Zoti”.

Marihuana: Shtetet perëndimore-Colorado dhe Washington, u bënë shtetet e para në të cilat u legalizua përdorimi i marihuanës. Marihuana konsiderohet të jetë drogë ilegale sipas ligjit federal, andaj dhe mbetet e paqartë se si do të veprojë qeveria federale në rastin e këtyre dy shteteve që kanë legalizuar atë. Në ndërkohë, në Massachusetts është lejuar përdorimi i marihuanës për arsye shëndetësore. Me këtë, Massachusetts u është bashkuar 17 shteteve të tjera dhe Qarkut të Columbias ku është lejuar tashmë përdorimi për qëllime mjekësore i kësaj droge.

Fitorja në shtëpi: Zakonisht në zgjedhjet amerikane, kandidatët amerikanë kanë fituar zgjedhjet në shtetet ku jetojnë. Por, Romney, ish-guvernator i Massachusetts, humbi në këtë shtet sikurse që humbi në shtetin ku ka lindur-Michigan.

Votimet e hershme: Diku një e treta e amerikanëve kanë votuar më herët gjatë këtyre zgjedhjeve. Ky trend po vazhdon meqë shumë votues preferojnë të hedhin votën e tyre para ditës zyrtare të zgjedhjeve më 6 Nëntor. Ithtarët e kësaj mënyre të votimit thonë se me të u mundësohet votimi edhe atyre që kanë të ardhura më të vogla e të cilët, për shkak të punës, nuk mund të dalin në zgjedhje në ditën zyrtare të zgjedhjeve. Kjo mënyrë e votimit mund t’i ketë ndihmuar Obamës, meqë rezultatet zgjedhore tregojnë se 54 për qind të votuesve janë njerëz që kanë më pak se 100 mijë dollarë të ardhurash në vit, ndërsa për Romneyn kanë votuar 54 për qind të atyre që kanë më shumë se 100 mijë dollarë të ardhurash në vit.(e.p.)
XS
SM
MD
LG