Ndërlidhjet

Rizgjedhja e Obamës, mirëpritet nga kosovarët


Ilustrim
Ilustrim
Rizgjedhja e presidentit Barack Obama në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një lajm i mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe në përmasa globale, konsiderojnë analistët politikë në Prishtinë.

Analisti Ismail Hasani thekson se jo vetëm Obama, por në përgjithësi amerikanët janë aleatë të Kosovës.

Politika e Shteteve të Bashkuar të Amerikës nuk varet shumë prej asaj se kush hyn ose del nga Shtëpia e Bardh, ajo është një politikë, ndërsa diplomacia është diçka tjetër. Ndërsa, sa i takon planit individual, asaj që ka reflektuar Barack Obama si president i SHBA-ve, konsideroj se është një lajm i mirë për Kosovën, jo vetëm për Kosovën po edhe i përmasave globale, për faktin se politika e tij në rrafshin ndërkombëtar ka shënuar rezultate”, shprehet Hasani.

Kurse, njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Ardian Arifaj thotë se çfarëdo ndryshime që mund të këtë në administratën e SHBA-ve, politika dhe raporti mes SHBA-së dhe Kosovës nuk mund të ndryshojnë.

Kosova nuk është lartë në agjendën e politikes së jashtme amerikane edhe çfarëdo ndryshimi në administratën amerikane nuk do të reflektohej negativisht në zhvillimet në Kosovë. SHBA-ja, varësisht se kush ka qenë president, gjithmonë janë shprehur në përkrahje të Kosovës, dhe Kosova do të kishte mundur të llogariste në përkrahjen e SHBA-së sikur Obama të mos fitonte në zgjedhje, por të fitonte Romney”, thekson Arifaj.

Ndryshe, qytetarët kosovarë e kanë mirëpritur rizgjedhjen e presidentit Barack Obama në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata thonë se me rizgjedhjen e Obamës president, raportet SHBA - Kosovë do të forcohen edhe më shumë.

Izet Ibrahimi, qytetar nga Prishtina, thotë se rizgjedhja e Obamës si president, ka qenë e pritur.

Sipas tij, politika e SHBA-së karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.

Mendoj se raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të shkojnë me ritëm të njëjtë. Konsideroj se shumë nga shqiptarët e Kosovë, kanë qenë në mbështetje dhe në përkrahje të Obamës në këto zgjedhje, për arsye se politika e tij e deritashme ka treguar suksese dhe konsideron një mbështetje të fuqishme për Kosovën”, thotë Ibrahimi.

Ai thekson se porosia e tij në drejtim të SHBA-ve dhe Obamës është të vazhdojnë të mbrojnë tërsinë territoriale të Kosovës.

Kurse, Bujar Jashari thotë se është shumë e rëndësishëm që Obama është rizgjedhur president, kjo pasi që, siç thotë ai, Kosova do të fitojë edhe me shumë përkrahje.

Është mirë është përzgjedhur Obama sepse gjithë duhet t’i kenë mirë marrëdhëniet me Amerikën. Shpresoj që sa më shumë të bëjë për Kosovën. Porosia është që të bëjë një lobim sa më të madh për shtetin tonë që sa më shpejt të futemi në Evropë”, deklaroi Jashari.

Në bazë të përkrahjes, deklarimeve dhe punëve që SHBA ka bërë për Kosovën, kushdo që zgjedhjet president në Amerikë është i mirëseardhur edhe për kosovarët, thotë Burbuqe Salihu.

Për ne, cilido që të jetë, Amerika nuk do ta ndryshojë mendimin për Kosovën. Atë bindje e kemi sipas veprimeve që kanë bërë”, tha Salihu.
XS
SM
MD
LG