Ndërlidhjet

logo-print

Veriu i Kosovës zvarrit zbatimin e IBM-së


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

E paralajmëruar si temë diskutimi në takimin e ardhshëm të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq, mbetet e paqartë se si dhe kur do të nisë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, tha të mërkurën mbrëma se Brukseli mirëpret rezultatin e takimit të fundit të grupit të përbashkët punues për jetësimin e kësaj marrëveshjeje.

Takimi në fjalë thuhet se është mbajtur më 5 dhe 6 nëntor, por mbetet e paqartë se si ka rezultuar ai.

Zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijanciq, i tha Radios Evropa e Lirë se do të vazhdojnë takimet e grupeve punuese për zbatimin “e plotë” të të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, por nuk dha detaje të tjera.

“Grupet punuese takohen në baza të rregullta, andaj presim se do të ketë takime të tjera”, u shpreh Kocijanciq.

Një ditë më parë, kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi, shprehu bindjen se në takimin e dhjetorit me homologun e tij serb, Daçiq, do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet palëve-me theks marrëveshja për IBM-në (Integrated Border Management).

Në muajin shkurt të këtij viti, palët e përfshira në dialog kishin nxjerrë protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit të kaluar, por në vend të zbatimit, kishin pasuar akuza të ndërsjella ndërmjet Prishtinës e Beogradit lidhur me pengesat e realizimit në terren të marrëveshjes.



Frika e Beogradit nga Menaxhimi i Integruar i Kufirit

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha se politikanët serbë e perceptojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit me Kosovën, si kërcënim për tërësinë territoriale të Serbisë.

Janjiq tha se Beogradi frikohet që me zbatimin e kësaj marrëveshjeje ta pranonte se veriu është pjesë e territorit të Kosovës, andaj dhe përpiqet që dokumenti në fjalë të realizohet në pikat e tjera kufitare, përveç atyre në Jarinjë dhe Bërnjak.

Dushan Janjiq

Dushan Janjiq

“Në dhjetor pres që të bëhen disa veprime përpara që do të thotë se marrëveshja do të implemetohej në disa pika të tjera kufitare, por jo në Jarinjë. Jarinja, sipas kërkesës serbe, do të mbetet në fund të procesit".

"Në Bruksel ekziston një gatishmëri që të pranohet një lloj kompromisi me Serbinë për nisjen e zbatimit të marrëveshjes, por jo përfundimin e tij brenda një muaji”,
theksoi Janjiq për të shtuar se problemi kryesor në këtë drejtim është mungesa e një zgjidhjeje politike për çështjen e veriut të Kosovës.

Me gjithë kundërshtitë ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe, Janjiq tha se Brukseli është i interesuar vetëm në vazhdimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

“Prioritet i Brukselit është vetëm ekzistimi i dialogut. Askush nuk beson se zërat optimistë do të vazhdojnë të jenë të përhapur pas takimit të dhjetorit”, tha Janjiq.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit parasheh që “të gjitha palët gradualisht të vendosin pikat e përbashkëta, të integruara, të veçanta dhe të sigurisë në vendkalimet e përbashkëta” me praninë e EULEX-it.

Prania e këtij misioni në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga serbët lokalë, të cilët, në sikurse Beogradi kundërshtojnë edhe çfarëdo lloj autoriteti të Prishtinës zyrtare.

Çështja më sfiduese në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pritet të jetë gjetja e një zgjidhjeje për problemin e veriut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG