Ndërlidhjet

Brammertz: Nikolliq nuk i respekton viktimat


Serge Brammertz
Serge Brammertz
Kryeprokurori, Serge Brammertz, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka diskutuar për rastet e profilit të lartë Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq, brengat e tij për sistemin e drejtësisë në Bosnje dhe trashëgiminë e Srebrenicës. Brammertz ka thënë se deklarata e Nikolliqit se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, tregon mungesë absolute të respektit ndaj viktimave dhe të mbijetuarve, si dhe nuk i ndihmon ripajtimit.




RADIO EVROPA E LIRË
Mandati i Tribunalit të Hagës po shkon ka fundi, skadon në vitin 2014, ndërsa po vazhdojnë ende tri procese gjyqësore të rëndësishme. A keni frikë se këto tri procese gjyqësore mund të nxitohen, duke e marrë parasysh afatin e mbylljes?


SERGE BRAMMERTZ
Si pjesë e strategjisë së kompletimit të hartuar nga ana e Këshillit të Sigurimit (OKB) në vitin 2004, ne duhet të përfundojmë dhe të përmbyllim proceset e mbetura gjyqësore brenda një harku të caktuar kohor - pra në fund të vitit 2014.

Unë mendoj se viti 2015 ndoshta është më realist. Sigurisht, se ekziston një formë e presionit politik, prapa të cilit gjendet mesazhi i qartë i Nju Jorkut.

Por, unë nuk mendoj se kjo do të ndikojë në cilësinë e punës sa i përket prokurorisë, mbrojtjes, por edhe gjykatësve.

Mendoj se ne jemi të gjithë profesionistë dhe jemi të sigurt se po ruhen standardet ndërkombëtare. Por, sigurisht që ne nuk mund të tolerojmë që strategjia e përfundimit të ndikojë negativisht.


Për shembull, ne po shkurtojmë stafin, jemi me personel të reduktuar, ndërsa me shërbime të njëjta. Natyrisht që kjo do të jetë një barrë e rëndë për personelin e mbetur.



Deklarata e Nikolliqit për Srebrenicën

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për deklaratën e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid?

SERGE BRAMMERTZ
Mendoj se është absolutisht e papranueshme për një numër arsyesh.
Së pari, është absolutisht në kundërshtim me kualifikimin juridik, që është bërë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) dhe nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë (ICTY), ku në të dyja rastet, gjyqtarët kanë vendosur se është gjenocid dhe ata janë autoritetet kompetente për të vendosur në lidhje me të.

Së dyti, unë mendoj se me të vërtetë është një mungesë absolute e respektit ndaj viktimave dhe të mbijetuarve të këtyre krimeve.
Kur ata dëgjojnë këtë, dhe unë i pashë organizatat e viktimave disa javë më parë në Sarajevë, ata janë të tronditur dhe ndjehen të ofenduar nga këto komente.

Dhe, elementi i fundit, sigurisht se kjo nuk mbështet absolutisht asnjë lloj pajtimi. Duke e mohuar të qartën, ju natyrisht se nuk jeni duke i hapur dyert e pajtimit dhe bashkëjetesës në paqe.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se gjykatat lokale në Serbi, Kroaci, Bosnje mund të merren me rastet e lidhura me luftën, pasi që Tribunali i Hagës të jetë mbyllur?

SERGE BRAMMERTZ
Nëse shikoj në Bosnje, unë do të gënjeja në qoftë se them se jam absolutisht optimist se gjithçka do të jetë absolutisht mirë. Ka pasur përparim, meqë ekziston një numër i njerëzve të përkushtuar. Tashmë është Zyra e Prokurorisë për Krime të Luftës, një gjykatë shtetërore. Unë mendoj se kolegët atje janë të përkushtuar, por unë isha atje para disa javësh dhe atyre iu mungojnë burimet. Me burimet aktuale ata kurrë nuk do të jenë në gjendje që të përmbushin afatet e strategjisë për krimet e luftës.

Unë gjithashtu u takova me prokurorët e qarkut dhe ata të nivelit kantonal dhe ka një numër të rasteve të bartura nga niveli shtetëror në nivele lokale dhe këtu e shohim problemin e njëjtë - prokurorët nuk janë trajnuar si duhet për të hetuar këto lloj rastesh, ata nuk kanë burime të mjaftueshme për t’i adresuar ato raste.

Ajo që kam parë gjatë vitit të kaluar, ka qenë bartja e 150 rasteve nga niveli shtetëror në atë lokal, por kjo nuk e zgjidh problemin.

A jam optimist?

Unë nga natyra jam një person optimist, besoj në përkushtimin e një numri të njerëzve, por në qoftë se nuk ka disa ndryshime strukturore, nëse nuk ka burime shtesë dhe nëse nuk ka një përkushtim të qartë politik nga të gjitha anët, mbetem shumë skeptik rreth suksesit të mundshëm.


Deklarata e Karaxhiqit

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thoshit mbi deklaratën e Radovan Karaxhiqit, udhëheqësit politik serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës, të bërë kohët e fundit në gjyqin e tij, ku tha se duhet të shpërblehet për përpjekjen për të parandaluar luftën?

SERGE BRAMMERTZ
Kur e bëri këtë deklaratë, në të njëjtën ditë kam qenë së bashku me 25 organizata të viktimave nga Bosnja, kam qenë vetë në Sarajevë. I kam parë reagimet e bëra nga organizatat e viktimave, që sigurisht ishin tronditur jashtëzakonisht nga ky lloj i komenteve.

Çfarë mund të them? Sigurisht se kjo nuk përputhet me atë që zyra ime ka paraqitur gjatë dy vjetëve të fundit si dëshmi në lidhje me dyshimet për përgjegjësitë e tij.

Ne jemi absolutisht të bindur se ai ka luajtur një rol të madh në përgatitjen dhe zbatimin e strategjisë së spastrimit etnik, se ka luajtur një rol të madh në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, në lidhje me rrethimin e Sarajevës. Ai bart një nga përgjegjësitë më të mëdha për rreth 10 mijë njerëz që kanë humbur jetën atje.

Ne jemi tani në fazën e mbrojtjes. Ai ka të drejtë, si të gjithë të akuzuarit, për të paraqitur mbrojtjen e tij dhe ai do të përdorë argumentet që mendon se duhet t’i përdorë.

Ai ka filluar tani të paraqesë dëshminë e tij në lidhje me deklaratat e dëshmitarëve. Le të shohim nëse në muajt që do të vijnë, nëse dëshmitarët që ai do t’i paraqesë do të konfirmojnë teorinë e tij të dyshuar se ai ishte një individ paqedashës. Natyrisht se kjo nuk është ajo që do të dalë, duke marrë parasysh provat.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjendja shëndetësore e komandantit ushtarak të Karaxhiqit, Ratko Mlladiq, është biseduar shumë kohëve të fundit. A keni frikë se ai do të përballet me fatin e njëjtë si ish-lideri serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq, dhe të vdesë gjatë procesit gjyqësor të tij?

SERGE BRAMMERTZ
Nuk kam top të kristaltë dhe nuk jam mjek, andaj nuk jam në gjendje të bëj ndonjë deklaratë në lidhje me shëndetin e Mlladiqit.
Unë vetëm mund të citoj vetë Mlladiqin dhe të them atë që shoh, kur e shoh Mlladiqin në sallën e gjyqit.

Nuk ka asnjë dyshim se sot ai është në një gjendje shëndetësore shumë më mirë sesa ditën kur u arrestua. Nuk e di nëse ju kujtohen fotografitë, kur u arrestua, shëndeti i tij ishte në një gjendje shumë të keqe dhe tani ai vetë thotë se është duke u ndjerë shumë, shumë më mirë sesa një vit më parë.

Unë nuk kam asnjë dyshim se ai është duke marrë të gjitha trajtimet e nevojshme mjekësore. Deri tani gjykimi po përparon mirë. Ne kemi filluar paraqitjen e provave dhe sot nuk kam asnjë arsye të mendoj se ky gjykim nuk mund të ecë përpara.(a.i.)
XS
SM
MD
LG