Ndërlidhjet

Bashkohet opozita siriane


Doha, Katar
Doha, Katar
Grupet opozitare të Sirisë kanë rënë dakord që të bashkohen, me qëllim përmbysjen e presidentit Bashar al-Assad.

Njoftimi është bërë të dielën vonë, pas disa ditësh bisedime në Doha të Katarit.

Koalicionin e ri do ta udhëheqë kleriku i moderuar, Mouaz al-Khatib, ndërsa zëvendës të tij do të jenë propozuesi i nismës, Riad Seif, dhe aktivistja Suhair al-Attassi.

Grupi i ri do të quhet Koalicioni Kombëtar i Sirisë për Forcat Opozitare dhe Revolucionare.

Bashkimi i opozitës pason presionin ndërkombëtar për të formuar një koalicion të gjerë.

Këshilli Kombëtar Sirian, i cili i është bashkuar grupit të ri pas shumë hezitimesh, është kritikuar nga Perëndimi për shkak se ka dështuar të bashkojë opozitën, si dhe për shkak të mungesës së përfaqësimit brenda vendit.

Revolta popullore në Siri ka nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Kryengritësit rebelë luftojnë për rrëzimin e regjimit të Assadit. Përleshjet mes tyre dhe forcave qeveritare, sipas aktivistëve, kanë lënë mbi 35,000 njerëz të vrarë.
XS
SM
MD
LG