Ndërlidhjet

Të pagjeturit - çështje “politike”


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Familja Qerkini nga komuna e Mitrovicës, është goditur në tre luftëra, që nga fillimi e deri në fundin e shekullit të kaluar dhe tre meshkuj, nga tri gjenerata të kësaj familjeje ende rezultojnë si të zhdukur.

Kështu shpjegon Bajram Qerkini, i cili thotë se stërgjyshi i tij është zhdukur në luftën e vitit 1912, gjyshi i tij në luftën e dytë botërore, në vitin 1945, si dhe i biri i tij, Rreshati, është zhdukur në vitin 1998, në luftën e fundit në Kosovë.

Bajrami, ende vazhdon me ngulm të kërkojë zbardhjen e fatit të të birit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, pavarësisht që, siç thotë ai, u ka ofruar dëshmi institucioneve përkatëse mbi rrethanat kur është zhdukur dhe për përgjegjësit e zhdukjes së birit të tij.

E kanë marrë kur ka dalë nga shtëpia, në orën 2, më 4 gusht të vitit 1998. Ka pasur të shkojë në Bare. Ka rënë poshtë, është marrë edhe është parë se kjo ka ndodhë prej njeriut kryesor që ka qenë komandant i policisë. Një milion për qind më kanë thënë disa herë ‘mos i përmend emrat’”.

Një milion për qind që e dinë se ku e kam djalin. Por, nuk duan të tregojnë. E vetmja përgjigje është se ‘nuk dimë, nuk kemi të dhëna...duhet të jepni të dhëna’. Kërkojnë të dhëna, thuajse unë jam ai familjar që duhet t’u them ‘ja ku është’”, thotë Qerkini.

Por, Reshat Qerkini, është vetëm një prej 1,776 personave, të cilët rezultojnë të zhdukur dhe të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.


Proces i vështirë


Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit thotë se familjarët e personave të pagjetur kanë të drejtë të kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por, sipas tij, ky do të jetë një proces jo i lehtë.

Çështja e të zhdukurve është problem i veçantë, sepse është mungesë e informacioneve. Mandej, ne kemi të dhëna dhe informacione se gjatë luftës, siç e kanë përsëritur disa herë, kanë ndodhur djegie. Prandaj, aty ku kanë ndodhur djegiet, ka pasur zhdukje totale. Ka pasur hedhje në lumenj, në liqeje. Prandaj, edhe aty duhet të jemi pak a shumë të kujdesshëm, sepse çështja e të pagjeturve nuk do të zgjidhet menjëherë”, shprehet Gjetaj.

Ai shton se për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kërkohet një presion shumë më i madh i bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin zyrtar.

Presioni, sipas tij, duhet të rritet edhe për faktin se Beogradi e ka pranuar se një varrezë masive gjendet në rajonin e Rashkës.

Edhe në takimin e fundit në Beograd, që e kemi pasur me delegacionin e Beogradit, e kemi ngritur këtë çështje, sepse, përderisa ata e kanë pranuar se gjendet një varrezë, le të tregojnë se ku është ajo varrezë. Por, presioni ndërkombëtarë është sigurisht i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Po shpresojmë që kjo çështje do të avancojë në kuadër të bisedimeve që do të zhvillohen me Serbinë”.

Gjetaj ka shtuar se gjatë hulumtimeve në terrene të ndryshme në Kosovë, gjatë këtij viti janë gjetur rreth njëzet trupa të pajetë, si dhe fragmente të mbetjeve mortore.

Hulumtimet, sipas tij, janë zhvilluar në 13 lokacione nga 36 sa kanë qenë të parapara.

Në 9 lokacione të tjera, procesi është duke vazhduar, ndërkohë që 14 të tjera janë në pritje,në mesin e të cilave janë edhe disa që gjenden në anën veriore të Mitrovicës, ku sipas Gjetajt nuk janë zhvilluar hulumtimet, për shkaqe të sigurisë.


"Me dhimbjen për fëmijën nuk krahasohet asgjë"


Por, Bajram Qerkini thotë se pritja tash e më shumë se 13 vjet, për të gjetur të birin, është shumë e rëndë dhe siç thotë ai, situatë të tillë kanë një numër shumë i madh i familjarëve, të cilët i kanë të zhdukur më të dashurit e tyre.

Ai e mbanë fotografinë e të birit në celularin e tij, duke e përkujtuar atë, sa herë që i vjen ndonjë thirrje telefonike nga kushdo qoftë.

Me dhimbjen për fëmijën nuk krahasohet asgjë. Mjerisht, të mos e dish se ku është, është shumë rëndë. Kur ta dish se ku është, të paktën ia qon një lule, e kujton, e jo që unë ta mbajë (fotografinë) gjithnjë në xhep apo në telefon e mos t’ia di vendin ku e ka. Unë sa herë e preki telefonin, sa herë kam thirrje në telefon, e shoh foton.. ja, ky është Reshat Qerkini. Deri sa ta gjej, nuk do ta heq nga këtu. Kur ta gjej, do të jetë gjysma e të keqes”, shprehet Qerkini.

Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq vazhdon të ndërmjetësojë grupin Punues për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, grup ky i themeluar në vitin 2004 dhe i përbërë nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili që në fillim e kishte cilësinë e ndërmjetësit neutral, e kishte quajtur çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur si çështje humanitare, në të cilët të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin serb Ivica Daçiq e ka ngritur çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Se a është kjo çështje humanitare apo politike, Gjetaj vlerëson në këtë mënyrë:

Unë them se është humanitare çështja e personave të zhdukur, por çdo gjë me Serbinë, e them në thonjëza, është ‘politike’”.

Ndryshe, takimi i ardhshëm i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të Grupit punues për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, sipas Gjetajt, do të zhvillohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG