Ndërlidhjet

A janë shkundur marrëdhëniet speciale të Rusisë me Gjermaninë?


Vladimir Putin dhe Angela Merkel
Vladimir Putin dhe Angela Merkel
Ligjvënësit gjermanë, javën e kaluar, kanë miratuar një rezolutë jodetyruese, e cila i bën thirrje kancerlares Angela Merkel që të ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut në Rusi, kur këtë javë të takohet me presidentin Vladimir Putin në Moskë.

Bundestagu ka miratuar raportin e komisionarit për marrëdhëniet gjermano-ruse, Andreas Schockenhoff, i cili ka konstatuar hapa prapa në zhvillimin demokratik të Rusisë, me kthimin e Putinit për mandatin e tretë presidencial.

Berlini ka qenë një nga miqtë më të mirë të Rusisë në Evropë gjatë viteve të kancelarit gjerman, Gerhard Schroeder, por marrëdhëniet e tyre kanë ndryshuar nën Merkelin.

Constanze Stelzenmueller është ndjekëse e çështjeve transatlantike në Fondin Marshall të Gjermaninë.

Mendoj se është një marrëdhënie, të cilën diplomatët gjermanë pëlqejnë ta quajnë ‘strategjike’ – marrëdhënie në të cilën nuk ndajmë shumë vlera, porse kemi nevojë për gjëra të caktuara. Aleatët, miqtë janë njerëzit me të cilët vërtet ndani vlera. Rusët nuk kualifikohen si aleatë apo miq”, thotë Stelezenmueller.

Importet ruse llogaritet se përfshijnë afërsisht një të tretën e konsumit të gazit natyror të Gjermanisë.

Marrë parasysh këtë, Merkel ka larguar Gjermaninë nga varësia me energjinë ruse, duke ndërtuar centrale qymyri. Ajo po ashtu ka qenë njëra nga kritiket më të zëshme evropiane të presidentit të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka – një aleat i afërt i Moskës.

Merkel ka nënshkruar Programin për Partneritet Lindor të Bashkimit Evropian, me gjithë kundërshtimet e Moskës. Stelzenmueller thotë se një gjë e tillë ka forcuar pozicionet e anëtareve të BE-së, si Polonia dhe Suedia, të cilat kanë favorizuar zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me ish-fqinjët sovjetikë të Rusisë.

Diplomacia gjermane ka qenë mjaft e lumtur për të lëvizur në sinkronizim me Stokholmin dhe Varshavën në një politikë më pro-aktive në periferinë lindore. Shembull i kësaj është politika gjermano-polake ndaj Bjellorusisë”, thotë Stelzenmueller.

Kur është shfaqur raporti i Schockenhoffit muajin e kaluar, Ministria e Jashtme ruse ka reaguar me zemërim. Ajo ka akuzuar Schockenhoffin për diskreditim të Putinit dhe ka marrë hapa radikalë, duke thënë se nuk e njeh Schockenhoffin si përfaqësues të Qeverisë gjermane.

Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, ka thënë se reagimi i Rusisë është “i çuditshëm” dhe i ka rikujtuar Kremlinit se “Berlini vendos vetë se kush përfaqëson Qeverinë gjermane”. Ai ka konfirmuar se Schockenhoff do të udhëtojë me Merkelin në Moskë për të marrë pjesë në seancën e Dialogut të Petersburgut.

Edwuard Lucas, njohës i Rusisë, thotë se vullneti për t’u konfrontuar publikisht me Moskën, është zhvillim i ri për pushtetin e Merkelit.

Në zemër të partisë së Merkelit shohim pakënaqësi publike me Rusinë dhe gatishmëri, në emër të Gjermanisë, për t’u zënë publikisht me të”, thotë Lucas.

Një shenjë tjetër e këtij vullneti të ri, shton Lucas, është vendimi i Gjermanisë për të gjykuar një çift spiunësh, të cilët janë arrestuar në vitin 2011 dhe besohet se kanë spiunuar për Moskën qysh në fund të viteve 1980.

Të gjitha këto zhvillime e bëjnë ogurzi udhëtimin e Merkelit në Moskë, thotë Lucas.(v.t.)
XS
SM
MD
LG