Ndërlidhjet

Serbët në veri e shohin veten në Serbi


Pamje nga veriu, foto nga arkivi

Pamje nga veriu, foto nga arkivi

Prishtinën e Beogradin e presin “vendime të vështira” në javët dhe muajt e ardhshëm sipas paralajmërimeve të diplomatëve evropianë.

Ajo që bëri këtë paralajmërim ishte Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila që nga 19 tetori po i ndërmjetëson bisedimet me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Por, për çfarë e pati fjalën Ashton kur foli për vendime të tilla?

Ideja me të cilën ajo pret ta zgjidh veriun si një nga temat e bisedimeve, sipas vlerësimeve të analistëve ndërkombëtarë, çon drejt një autonomie të zgjeruar për pjesën veriore të Kosovës.

Por, njëri nga pjesëmarrësit e negociatave që çuan në hartimin e planit të Ahtisaarit mbi të cilin Kosova shpalli vetën shtet, Albert Rohan, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk sheh alternativë tjetër për akomodimin e interesave të serbëve në veri përveç asaj që parashihet në planin në fjalë.

Albert Rohan

Albert Rohan

Nuk shoh se çfarë do të mund t’u ofrohej atyre më shumë. Është edhe një aspekt tjetër: mendoj se nuk do të ishte e drejtë t’i kemi dy klasa të serbëve në Kosovë-ata në veri me një autonomi rajonale dhe serbët e tjerë kosovarë që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës me një status tjetër”, u shpreh Rohan.

Ai shfaqi drojën se me realizimin e të drejtave shtesë për serbët e veriut do të mundësohej një diskriminim pozitiv, i cili-për serbët në pjesën qendrore të Kosovës-do të nënkuptonte diskriminim negativ nga pushteti.

Të drejtat shtesë që do t’u sillte një zgjidhje përtej planit Ahtisaari serbëve në veri, mund të ngjallin pakënaqësi në radhët e atyre që tashmë kanë pranuar planin në fjalë në komunat e reja serbe në pjesët e tjera të Kosovës.

Rangjell Nojkiq, një nga politikanët serbë kësaj pjese tha se serbët tha se nuk do të pranohej çfarëdo diskriminimi në raport me serbët në veri.

Nëse ne do të kishim më pak të drejta, atëherë nuk do të pajtoheshim me këtë”, tha Nojkiq.

Përpjekjet e dështuara...

Komunat e reja të krijuara bazuar në planin Ahtisaari gëzojnë “të drejtën për të bashkëpunuar me komuna dhe institucione në Serbi, përfshirë të drejtën për të marrë ndihmë financiare dhe teknike nga Serbia brenda parametrave të planit”.

Karshi të drejtave që u garantohen komunave të reja, plani Ahtisaari parasheh që komuna e Graçanicës, ajo e Shtërpcës dhe komuna e re e Mitrovicës Veriore të kenë të drejta të zgjeruara në fushën e shëndetësisë dhe të arsimit.

Përpjekje për t’u shpjeguar serbëve në veri këto të drejta i kishte bërë Zyra Civile Ndërkombëtare duke krijuar Ekipin Përgatitor për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

Ekipi u pat ngarkuar me detyrën për ta përgatitur terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe decentralizimin e pushtetit në zonat veriore-procese që dështuan për shkak të bojkotit të banorëve të atjeshëm.

Adrijana Hoxhiq

Adrijana Hoxhiq

Njëra nga anëtaret e dikurshme e këtij ekipi-tash shefe e Zyrës Civile Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, i tha Radios Evropa e Lirë se kundërshtimi i planit Ahitsaari nga Beogradi zyrtar ka shkaktuar një rezistencë të ashpër tek serbët lokalë.

Strukturat serbe, sipas saj, kanë përhapur në ndërkohë informata të pasakta lidhur me planin në fjalë.

Qytetarët e zakonshëm në veri nuk janë ata që mund të vendosin për këtë. E dini se kemi struktura të Serbisë në veri që po përhapin dezinformata lidhur me planin e Ahtisaarit. Neve na duhen vendime politike në këtë rast para zbatimit të planit Ahtisaari”, theksoi ajo.

Serbët e veriut besojnë se janë pjesë e Serbisë...

Disa qytetarë serbë të veriut të Mitrovicës në pyetjen e Radios Evropa e Lirë për njohuritë e tyre rreth planit të Ahtisaarit, folën me skepticizëm në mundësinë e zbatimit të tij në atë pjesë të vendit.

Integrimi i veriut në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës, sipas Jovan Nikolliqit, është një projekt i pamundur.

Kam lexuar për planin nëpër gazeta dhe integrimin tonë në Kosovë e vlerësoj si hap negativ. E para, sepse nuk u besoj shumë dhe është e pamundshme që ajo të ndodh. Unë kuptoj se disa gjëra duhet të negociohen, por mendoj se tash nuk është koha për këtë”, tha ai.

Ivana Jankoviq, ndërkaq, foli për dallimet e shumta që ekzistojnë në mes të serbëve në veri dhe kosovarëve që jetojnë në pjesën jugore të vendit.

Duhet të jetojmë ndaras meqë nuk mund të merremi vesh dhe të pajtohemi. Kjo do të thotë se komunat duhet të jenë të ndara me ingerenca të ndara. Besoj se shumë njerëz mendojnë kësisoji meqë nuk merremi vesh”, tha Jankoviq.

Vlerësimet e tilla, siç tha zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës- Rohan, flasin për perceptimet e gabuara të serbëve në veri ndaj planit Ahtisaari dhe besimin e tyre se janë pjesë të Serbisë.

Në veri, ata besojnë se ende janë pjesë e Serbisë dhe se do të mbeten pjesë e Serbisë”, u shpreh ai.

Veriu duket se do të jetë çështja më e ndjeshme në mesin e temave, për të cilat pritet të vendosin kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, në javët dhe muajt e ardhshëm në kuadër të bisedimeve politike në mes tyre.

Situata thuhet se është komplikuar në atë pjesë të vendit për shkak të, siç thuhet, mungesës së sundimit të ligjit dhe veprimit të strukturave të paligjshme paralele të Serbisë.

Trego komentet