Ndërlidhjet

Thaçi e informoi Kuvendin për takimin e dytë me Daçiqin


Hashim Thaçi,Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Hashim Thaçi,Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Kryeministri Hashim Thaçi e ka informuar sërish Kuvendin e Kosovës në lidhje me takimin e tij të dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq të mbajtur më 7 nëntor në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Zbardhja e fatit të personave të pagjetur të luftës, zbatimi i Marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, hapja e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, pastaj çështja e financimit të strukturave ilegale nga ana e Serbisë në veri të Kosovës, dhe çështje tjera, sipas Thaçit kanë qenë temat e takimit të dytë me homologun e tij serb, Daçiq.

Duke u ndalur tek hapja e zyrave ndërlidhëse, Thaçi tha se Beogradi ka hezitime, por si u shpreh ai, pritet që të ketë përparime në takimin e radhës.

Thaçi tha se Serbia nuk do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian pa i zhbërë strukturat ilegale të ngritura në Kosovë.

Në kuadër të temave të diskutuara me kryeministrin serb Daçiq, Thaçi tha se është diskutuar edhe çështja e formimit të një policie të veçantë që do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që kryeministri Thaçi informon Kuvendin në lidhje me takimet e tij me homologun serb, Daçiq. Sikurse edhe në seancën e kaluar, Thaçi ka marrë kritika të ashpra për këto takime nga deputetët e Vetëvendosjes, përderisa subjektet tjera kryesisht mbështesin këtë dialog të filluar në nivelin më të lartë politik me Serbinë. Seanca po i vazhdon punimet.
XS
SM
MD
LG