Ndërlidhjet

Politikat e gabuara bllokojnë ekonominë


Ilustrim
Ilustrim
Kosova edhe 13 vjet pas lufte vazhdon të ketë nivel të ulët të zhvillimit ekonomik. Ajo që po e pengon zhvillimin ekonomik, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, janë politikat e gabuara ekonomike.

Tranzicioni në Kosovë, sipas ekspertëve të ekonomisë, tregon kosto jashtëzakonisht të madhe ekonomike. Ky proces, thonë ata, ka qenë i vështirë dhe nuk ka dhënë rezultate të duhura.

Pengesat që ndërlidhen me qasjen në financim, korrupsioni, pengesa të karakterit burokratik dhe politikat e gabuara ekonomike, sipas ekspertit të ekonomisë, Muhamet Sadiku, janë faktorët kyç në moszhvillimin ekonomik të vendit.

“Në radhë të parë, Kosova ende nuk e ka përfunduar procesin e ristrukturimit të ekonomisë dhe burimi kryesor i rritjes ekonomike, mbetet sektori publik, në vend që gjatë kësaj periudhe, burim kryesor i rritjes ekonomike të bëhet sektori privat”, thotë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Procesi i privatizimit në Kosovë, i cili kishte filluar në vitin 2003 dhe që ishte parë si një mundësi mjaft e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thekson Sadiku, ka qenë një proces tejet i sfiduar nga shumë faktorë.

Pritjet e këtij procesi kanë qenë krijimi i një stabiliteti ekonomik, social dhe krijimi i vendeve të reja të punës, por, siç thotë profesor Sadiku, ndodhi e kundërta.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Çështja e dytë që lidhet me pengesat në ekonomi, është zhvillimi i deritashëm i sektorit privat në tranzicion. Kemi shpresuar që sektori privat do të rrisë pjesëmarrjen e GDP-së në punësim, në eksport dhe e tërë kjo të reflektohet në rritje ekonomike. Ajo që ka rëndësi të madhe gjatë kësaj periudhe, është se i tërë zhvillimi është duke u ballafaquar me një biznes të ngulfatur me pengesa formale dhe joformale”, thekson Sadiku.

Profesor Sadiku shton se të gjitha këto ngecje në ekonomi kanë bërë që Kosova të ketë bruto-produktin e vendit rreth 2000 euro për kokë banori dhe që është niveli më i ultë ne Evropë.


Kosova, pa plan për zhvillim ekonomik

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomik të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë derisa mungon një plan nacional për zhvillimin ekonomik, Kosova nuk do të mund të ketë zhvillim.

Safet Gërxhaliu
Safet Gërxhaliu
“Vetë fakti që 13 vjet pas luftës mungon një plan nacional zhvillimor; vetë fakti që planifikimet buxhetore janë bërë si fontanë dëshirash se sa një vizon, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik; vetë fakti që ne nuk e dimë se ku jemi sot dhe jo ku do të shkojmë në aspektin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, është diçka që brengos”, shprehet Gërxhaliu.

Gërxhaliu shpreson se me kalimin e kohës autoritetet e Kosovës duhet t’i kthehen ekonomisë dhe jo politikës. Nëse mendohet të arrihet zhvillimi ekonomik, thekson ai, vendi duhet të orientohet drejt sektorit prodhues dhe drejt investimit në edukim.

“Dhe, vetëm në këtë formë, nëse e bëjmë këtë sinkronizim të këtyre dy faktorëve, do të fillojmë t’i përmirësojmë vlerat dhe tek atëherë mund të thuhet se mund të kemi perspektivë ekonomike. Për momentin Kosova ballafaqohet me dy të këqija: njëra është më e mirë, se sot është keq. Po, e keqja më e keqe është se nëse vazhdohet me këtë trend, nesër do të jetë edhe më keq”, thekson Gërxhaliu.

Sfiduese për autoritetet e Kosovës është niveli i lartë i papunësisë - 44.9 për qind, niveli i varfërisë - 35 për qind, dhe varfëria e skajshme - 13 për qind.
XS
SM
MD
LG