Ndërlidhjet

Serbia “duhet të pezullojë negociatat me BE-në”


Ilustrim
Ilustrim
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Nenad Popoviq, ka thënë se Beogradi duhet të pezullojë negociatat me Bashkimin Evropian, pas vendimit të Gjykatës së Hagës për të liruar dy ish-gjeneralët kroatë të luftës, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.

“Pafajësia e gjeneralëve kroatë, të cilët kanë pastruar etnikisht Kroacinë nga serbët, tregon se si Bashkimi Evropian do të trajtojë çështjet e tjera të pazgjidhura të Serbisë. Meqë e njëjta dorë që udhëheq Tribunalin e Hagës, udhëheq edhe përpjekjet për të marrë Kosovën nga Serbia, është e qartë se ajo do të bëjë gjithçka që 'Kosova të bëhet e pavarur'”, ka thënë Popoviq, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Ai ka parashikuar se Tribunali i Hagës do të lirojë edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po gjykohet për disa vepra, të cilat, siç thuhet, nuk janë në përputhje me ligjet e luftës.

“Kjo është edhe arsyeja përse Serbia duhet të pezullojë negociatat me Bashkimin Evropian”, ka thënë Popoviq.

Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga Vojisllav Koshtunica, ka 21 deputetë në Asamblenë Kombëtare të shtetit serb.

Serbia po negocion me Bashkimin Evropian rrugët për integrimin në këtë bllok.
XS
SM
MD
LG