Ndërlidhjet

Viktima të reja në Gazë


Tanke izraelite afer kufirit me Gazën

Tanke izraelite afer kufirit me Gazën

Zyrtarët mjekësore palestinezë kanë thënë se të paktën 10 persona të tjerë janë vrarë në sulmet e reja ajrore izraelite në Gazë, derisa konflikti me militantët e Hamasit ka hyrë në ditën e gjashtë.

Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë të saj kanë kryer rreth 80 sulme gjatë natës.

Ushtria izraelite tha se sulmet kishin në shënjestër ndërtesat ku besohet se janë vendosur zyrtarë të lartë të Hamasit.

Militantët e Hamasit raportuan për disa raketa të lansuara në drejtim të Izraelit.

Nuk u njoftua për viktima.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton tha se ajo po bisedon me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyhu dhe liderët rajonalë të vendeve arabe.

“Jam shumë e shqetësuar me humbjen e jetëve dhe kam thënë vazhdimisht se na duhet një zgjidhje afatgjatë në Gazë. Kam qenë tri herë atje dhe duhet të gjejmë një mënyrë se si të ndalim sulmet e dhunshme raketore, dhe të sjellim paqen dhe sigurinë për popullin e atij rajoni”, tha Ashton.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje, por, kërkon nga vendi përmbajtje.

Deri më tash raportohet se janë vrarë të paktën 87 palestinezë, përfshirë civilë dhe fëmijë. Ndërsa nga raketat e Hamasit kanë humbur jetën 3 izraelitë.
XS
SM
MD
LG