Ndërlidhjet

logo-print
Zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe atyre që priten në kuadër të dialogut të filluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shtrihet në rrafshin politik dhe atë teknik - të ekspertëve.

Përderisa në rrafshin politik çështja u takon vendimeve të niveleve të larta, në rrafshin praktik, Qeveria e Kosovës ka ftuar edhe opozitën që të luajë një rol aktiv në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Por, në fakt, njohësit e këtyre proceseve ngrehin dilema të shumta nëse Prishtina dhe Beogradi mund t’i zbatojnë marrëveshjet për temat që janë shtruar apo do të shtrohen për negociata në tavolinën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se pala kosovare ndodhet në një pozitë të ndërlikuar, pasi që është duke negociuar mbi kompromisin tashmë të bërë e që është Pakoja e presidentit Ahtisari. Përderisa rikujton se Serbia, në bazë të praktikës dhe historisë, në raport me Kosovën, asnjëherë nuk ka zbatuar ndonjë marrëveshje.

“Është e pafavorshme të vazhdohet më tutje duke negociuar mbi kompromiset tashmë të bëra. Bisedimet e fundit unë konsideroj se do të jenë pikërisht negociata mbi negociatën e bërë, pra rregullim kushtetues i ri mbi një kompromis të bërë, i cili prodhoi Pakon e presidentit Ahtisari (marrëveshja gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës)”, thekson Ylli Hoxha.

Në fund të këtij procesi, Kosova do të dalë sërish me obligime ndërkombëtare pavarësisht nëse Serbia do të pranojë apo jo këtë rezultat, thekson Ylli Hoxhaj.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, baronesha Catherine Ashton, dhe kryeministri serb, Ivica Daçiq

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, baronesha Catherine Ashton, dhe kryeministri serb, Ivica Daçiq

Ndërsa shprehet pak optimist se mund të ketë zbatim të ndonjë marrëveshje me peshë, Hoxhaj ngre edhe dilemën tjetër, duke marrë si shembull veriun dhe marrëveshjen, që sipas tij, pritet të arrihet për atë pjesë, ku autoritetet e shtetit të Kosovës nuk kanë shtrirje.

“Është e paarsyeshme futja në një negociatë prej këtij pozicioni. Negociata prej pozicioni kur nuk ke shtrirje në një territor do të rezultojë me një kompromis mbi atë territor, i cili sipas meje do të jetë një status i veçantë për atë territor, e që do të nënkuptojë edhe pranim i mungesës së autoritetit të Kosovës mbi veriun”, vlerëson Hoxha.

Në anën tjetër, profesori Qerim Qerimi thotë se kur palët arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ato edhe japin garancitë e tyre se do t’i zbatojnë ato. Ndonëse e sheh si shumë sfidues zbatimin në rastin kur këto palë janë Serbia dhe Kosova, si dy vende me raporte aspak të mira, megjithatë ai thotë se kushtëzimi i integrimeve evropiane me përparimin në bisedime që ka bërë Bashkimi Evropian, mund të japë pak shpresë se palët do të mund të tregohen konstruktive.

“Një dimension i rëndësishëm që krijon pritje të arsyeshme që këto marrëveshje do të zbatohen, është aspirata e të dyja shteteve për integrim në bashkësinë e kombeve evropiane. Në këtë rrafsh, del qartë që Bashkimi Evropian ka përcaktuar këto çështje dypalëshe si parakusht të domosdoshëm për integrimet evropiane”, shprehet Qerimi.

Që dialogu në nivelin politik i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, të ketë sukses, duhet që paraprakisht të zbatohen marrëveshjet e arritura nga dialogu paraprak i nivelit teknik, thotë Qerim Qerimi.

“Qëndrimi parimor që do të duhej të mbahej, sigurisht është zbatimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve që janë arritur në fazën e parë të procesit të dialogut, si parakusht i domosdoshëm për të lëvizur drejt diskutimeve që hyjnë në kuadër të procesit të ri të këtij dialogu”, thekson Qerimi.

Sidoqoftë, bisedimet e nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, respektivisht baronesha Catherine Ashton, është thënë se kanë si qëllimi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, ndërmjetësuesi nuk ka vënë si kushte edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, por e ka potencuar këtë normalizim dhe bashkëpunim si parakusht që të dyja vendet të mund të ecin përpara në proceset integruese evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG