Ndërlidhjet

logo-print

Obama së shpejti emëron kabinetin e ri


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obana, do të emërojë së shpejti kabinetin e ri, që do të përbëjë administratën e tij gjatë mandatit të dytë presidencial, raporton Financial Times.

Ndër vendimet më të vështira, sipas gazetës, pritet të jetë zëvendësimi i Hillary Clintonit në postin e sekretares amerikane të shtetit.

Gjatë katër vjetëve të kaluar, Clinton ka qenë një kryetare energjike e politikës së jashtme të Amerikës.

Zëvendësimi i saj me dikë të ngjashëm është një punë e vështirë, shkruan Financial Times.

Në mesin e emrave që mund të zgjedhë Obama, është ai i senatorit John Kerry, ish-kandidat i Demokratëve për president, dhe ai i ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Susan Rice.

Rice ka qenë një diplomate efektive, duke siguruar rezolutat e OKB-së për sanksione ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut.

Sipas gazetës, ndikimi i saj ka qenë i qartë vitin e kaluar kur ajo ka ndihmuar në bindjen e presidentit Obama për të mbështetur aksionet ushtarake mbi Libinë.

Por, ditëve të fundit, Rice ka qenë nën sulme të vazhdueshme të Republikanëve, për shkak të komenteve që ka bërë në lidhje me sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Bengazi, ku kanë humbur jetën katër diplomatë të SHBA-së, përfshirë ambasadorin.

Rice fillimisht ka thënë se ambasadori amerikan, Chris Stevens, është vrarë në një protestë spontane, e cila më pas është rrëmbyer nga ekstremistët, dhe jo nga një sulm i paramenduar terrorist.

Por, kjo deklaratë, bazuar në të dhënat e CIA-s, duket se ka qenë e gabuar.

Rice tani përballet me akuzat se ka mashtruar publikun.

Zoti Obama mund të shpenzojë kapital të vlefshëm politik duke luftuar për emërimin e Rice-it. Por, ai do të bënte mirë që të zgjidhte një njeri të rëndësishëm dhe me përvojë në krye të diplomacisë së vendit, shkruan Financial Times.
XS
SM
MD
LG