Ndërlidhjet

logo-print
Një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy gjyqtarë vendas , i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme, e ka kthyer në rigjykim lëndën kundër Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka.

Zyra për informim e EULEX-it njofton se trupi gjykues i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it, dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, me anë të së cilit ishin shfajësuar Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.

Mes tjerash, të pandehurit ishin akuzuar për krime të luftës kundër popullsisë civile dhe të burgosurve të luftës. Po ashtu, trupi gjykues i shpalli të pranueshme dëshmitë e Agim Zogajt, gjithashtu i njohur si “Dëshmitari X”.

Kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit u hodh poshtë si e papranueshme nga Gjykata Supreme.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte ndarë rastin Kleçka, me ç‘rast ishin nxjerrë dy aktvendime. Në atë kohë gjykata i shpalli dëshmitë e Agim Zogajt si të papranueshme dhe i shfajësoi të gjithë të pandehurit me anë të këtyre dy vendimeve.

Ankesën ndaj lirimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limajt, e të tjerëve në rastin “Kleçka” dhe ndaj shpalljes si të papranueshme të deklaratave të dëshmitarit X, para Gjykatës Supreme në Prishtinë e ka ngritur prokurori evropian, Maurizzio Salustro.

Këto deklarata dhe ditari i dëshmitarit X ishin shpallur të papranueshme nga kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 21 mars.

Salustro, megjithatë, kishte insistuar në vërtetësinë e dëshmive të dëshmitarit Agim Zogaj, i cili u pat gjetur i vdekur në shtator në Gjermani.

Po në mars të këtij viti, gjashtë të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, ishin shpallur të pafajshëm.

Ndërkaq, në maj ishin shpallur të pafajshëm katër të akuzuarit e tjerë në rastin “Kleçka”: Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.

Vendimi për pafajësinë e katër të akuzuarve, sipas trupit gjykues, ishte sjellë me arsyetimin se nuk ka pasur dëshmi ta mjaftueshme, të cilat do ta vërtetonin fajësinë e të akuzuarve.

Dhjetë ish-ushtarët e UÇK-së në rastin “Kleçka” akuzoheshin për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.(a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG