Ndërlidhjet

Blerim Shala - koordinator i dialogut


Blerim Shala
Blerim Shala
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga emëroi Blerim Shalën koordinator politik për dialogun Kosovë-Serbi.

"Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 83 dhe nenin 84, pika 2 dhe pika 4, dekretoi zotëri Blerim Shalën, koordinator politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë", thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentes Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur dekretimin nga Presidentja e Kosovës, të zotit Blerim Shala në pozitën e koordinatorit politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, thuhet në një deklaratë të kryeministrit kosovar.

Në bisedimet teknike të zhvilluara deri në fillim të këtij viti, Kosovën e ka udhëhequr në bisedime, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, kanë zhvilluar deri më tash dy takime në Bruksel, në atë që është vlerësuar si dialog i nivelit më të lartë.

Blerim Shala në negociatat e zhvilluara mes Kosovës e Serbisë në Vjenë, para shpalljes së pavarësisë, ka qenë koordinator i Ekipit të Unitetit.

Kabineti i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka dhënë detaje në lidhje me rolin që do ta ketë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala në këtë proces të dialogut.

Gjithashtu nuk dihet nëse do të formohen grupe punuese, apo cilët do të jenë hapat e ardhshëm të palës kosovare në përballjen me delegacionin serb.(a.i.)
XS
SM
MD
LG