Ndërlidhjet

Gruevski, optimist për datën e negociatave evropiane


Shkup, 22 nëntor 2012.
Shkup, 22 nëntor 2012.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka shprehur besimin se në Samitin e dhjetorit të Bashkimit Evropian, vendit të tij do t’i jepet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në këtë bllok.

Në një konferencë rajonale në Shkup, me temë “Reformat e qëndrueshme drejt objektivave të BE-së në dekadën e ardhshme”, Gruevski ka thënë se pret që Greqia dhe Bullgaria të mos pengojnë këtë proces të rëndësishëm për Maqedoninë.

“Pres që Greqia, si anëtare më e vjetër e BE-së dhe mbështetëse e politikës së zgjerimit, të përkrahë vendimin për nisjen e negociatave aderuese me Maqedoninë”, ka deklaruar Gruevski.

Nga ana tjetër, drejtori për zgjerim i Komisionit Evropian, Stefano Saninno, ka shfaqur shpresën se rekomandimi i KE-së do të japë rezultate pozitive dhe do të dëshmohet se perspektiva evropiane e vendit është reale.

“Rekomandimi është i bazuar në idenë se vendimi për fillimin e bisedimeve aderuese do t’i rrisë shanset për zgjidhjen e çështjes së emrit. Unë dua të besoj se rekomandimi ka dhënë efekte pozitive dhe kjo dëshmohet edhe nga kontaktet e fundit në Nju Jork”, ka deklaruar Saninno.

Zyrtari evropian gjithashtu ka theksuar nevojën për vazhdimin e reformave në fushën e gjyqësorit, në administratë si dhe në luftë kundër krimit dhe korrupsionit.
XS
SM
MD
LG