Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e veriut kërkojnë takim me misionet e huaja


Veriu i Kosovës - foto arkivi

Veriu i Kosovës - foto arkivi

Përfaqësuesit ilegalë të serbëve të veriut kanë kërkuar takim me përfaqësuesit e misioneve ushtarake dhe civile në Kosovë.

Kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, ka thënë se kërkesa për takim i është dërguar shefit të EULEX-it, Xavier de Marnhac, komandantit të KFOR-it, Volker Halbauer, dhe shefit të UNMIK-ut, Fraid Zarif.

Ai ka thënë se ftesa është dërguar me dëshirën për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar nga “përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtëpi të reja në lagjen Kroi i Vitakut”.

Të enjten, serbët lokalë kanë protestuar kundër rindërtimit të shtëpive të pronarëve shqiptarë në këtë lagje. Banorët e lagjes kanë ndërprerë punimet, por kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, është zotuar se ato do të vazhdojnë.

Pantiq ka thënë se “shqiptarët po bëjnë përpjekje të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë”.
XS
SM
MD
LG