Ndërlidhjet

Westerwelle: Normalizimi Kosovë-Serbi, kusht për BE


Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle (foto arkivi)
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle (foto arkivi)
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Ne e mirëpresim faktin se Serbia dhe Kosova po bëjnë përpjekje që të normalizojnë marrëdhëniet. Kjo ka rëndësi të madhe për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore. Këto marrëdhënie janë kusht i domosdoshëm që atyre t’iu lejohet anëtarësimi në BE, me të drejta dhe detyrime të plota”, ka thënë Westerwelle.

Ai i ka bërë këto komente në konferencën e ministrave të jashtëm të Evropës Juglindore, e cila po zhvillon punimet në Berlin.

Westerwelle ka theksuar po ashtu rëndësinë e një mirëkuptimi politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rreth çështjeve kryesore, përfshirë "situatën e pazgjidhur në veri të Kosovës".

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar, për të zhvilluar disa raunde deri në muajt e parë të këtij viti.

Bisedimet janë shndërruar në dialog të nivelit të lartë në muajin tetor, kur edhe ka ndodhur takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, nën praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Thaçi dhe Daçiq janë takuar për herë të dytë më 7 nëntor.
XS
SM
MD
LG