Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve


Pamje nga përleshjet e policisë speciale me protestuesit në Kajro të Egjiptit

Pamje nga përleshjet e policisë speciale me protestuesit në Kajro të Egjiptit

Në disa qytete në Egjipt kanë shpërthyer përleshje, pas vendimit të presidentit Muhammad Morsi për t’i siguruar vetvetes autoritet më të gjërë.

Në kryeqytetin Kajro policia ka hedhur gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën e protestuesve afër Sheshit Tahrir.

Raportohet se protesta të dhunshme ka pasur mbrëmë edhe në Port Said në Suez dhe në qytetin mesdhetar, Aleksandria, ku protestuesit i kishin sulmuar zyrat e partisë së presidentit, Vëllazëria Myslimane.

Protestuesit, për të cilët thuhet se janë mbështetës të reformave, e akuzojnë presidentin Morsi se po merr autoritet diktatorial dhe po e kthen prapa revolucionin e vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, Morsi dhe mbështetësit e tij thanë se dekreti për më tepër autoritet për presidentin, ishte i nevojshëm për ta mbrojtur revolucionin, që të mos shkatërrohet nga lojalistët e ish liderit, Hosni Mubarak.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë shprehur shqetësim lidhur me zgjerimin e autoritetit presidencial.

Sipas dekretit, vendimet e zotit Morsi nuk mund të kundërshtohen në gjykatë, në periudhën derisa të zgjedhet përbërja e re e parlamentit.
XS
SM
MD
LG