Ndërlidhjet

Isufi: Përmendorja në Preshevë nuk paraqet provokim


Përmendore e luftëtarëve të rënë të ish UÇPMB-së në Preshevë

Përmendore e luftëtarëve të rënë të ish UÇPMB-së në Preshevë

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB), Edmond Isufi, ka deklaruar sot se vendosja e përmendores për pjesëtarët e rënë të UÇPMB-së, në qendër të Preshevës, nuk paraqet provokim ndaj qeverisë së Serbisë.

“Nuk e kemi vendosur përmendoren për pjesëtarët e vrarë të UÇPMB-së në vend ku jetojnë serbët, ashtu që ajo të paraqiste provokim, por në Preshevë, me popullatë shumicë shqiptare, së cilës përmendorja nuk i pengon”, tha Edmond Isufi dhe shtoi se “politikanët le të mendojnë çka të dojnë, por ish pjesëtarët e UÇPMB-së janë amnistuar dhe ne prej vitit 2002 vendosim përmendore gjithkund ku ata janë vrarë”.

Sipas tij, deri tash Shoqata e Veteranëve të ish UÇPMB-së, i ka ngritur gjashtë përmendore në nderim të pjesëtarëve të vrarë, në komunat Preshevë dhe Bujanovc, ndërsa përmendorja e parë ishte ngritur në fshatin Tërnovc, në komunën e Bujanovcit, në vitin 2002, raporton agjencia Beta.

“Deri tash këto përmendore nuk i kanë penguar askujt, prandaj kujt i duhet tash që t’i shfrytëzoj përmendoret në lidhje me politikën”, pyet Isufi.

Ai theksoi se “nuk ka arsye që të largohet përmendorja në Preshevë”.

Kjo përmendore është vendosur para ndërtesës së Komunës së Preshevës, më 16 nëntor, ndërsa disa ditë më vonë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka porositur se “përmendorja do të largohet dhe se për shqiptarët do të ishte më mirë që këtë ta bëjnë vetë”.

Vendosja e përmendores në Preshevë u bë në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që në Preshevë dhe Bujanovc, shënohet me manifestime të ndryshme, që priten të kulmojnë më 28 nëntor, në ditën kur në vitin 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë.
XS
SM
MD
LG