Ndërlidhjet

Toleranca ndëretnike e kushtëzuar nga politika


Protestë në Maqedoni (Foto nga arkivi)
Protestë në Maqedoni (Foto nga arkivi)
Për politikanin maqedonas Zdravko Savevski , shqetësues është fakti se hendeku mes të rinjve maqedonas dhe atyre shqiptarë, është më i madh krahasuar me gjeneratat e më të vjetra.

Ai më pas thekson se në këtë formë, siç zhvillohen proceset në shoqërinë maqedonase, pavarësisht angazhimit që në institucionet shtetërore të përshihen shqiptarët konform Marrëveshjes së Ohrit, në jetën e përditshme të rinjtë shqiptarë dhe ata maqedonas realisht gjithnjë e më shumë humbasin çdo kontakt.

“Shkohet në versionin se ja edhe rrugët janë tonat, pra i përkasin këtij ose atij tabori etnik, madje edhe më larg - i takojnë këtij ose atij tabori politik dhe nuk guxon askush të shprehë revoltë për një çështje të caktuar ose të bëhet ndonjë organizim në to, pos atyre që mendohet se u takojnë”, thotë Savevski.

Ai shton se “e gjithë kjo ka për qëllim kontrollimin e revoltës së qytetarëve, e cila revoltë më pas konvertohet në vota pa mbajtur aspak llogari për të ardhmen e të rinjve, qofshin ata maqedonas apo shqiptarë”.

Por, Valon Kurtishi, drejtues i OJQ-së” ILIRICUM LIBERTS” thotë se hendeku mes të rinjve shqiptarë dhe atyre maqedonas, është i njëjti siç ka qenë edhe para viteve ’90, por tani, shprehet ai, nuk mund të kamuflohet bashkëjetesa.

“Atëbotë, duke qenë sistemi tërësisht i kontrolluar nga lart poshtë, përmes lidhjes komuniste të rinisë, etj, janë organizuar detyrimisht edhe aktivitete sportive, rekreative, kulturore , sociale që kanë qenë, thënë kushtimisht, multi-etnike, derisa sot, kur jemi të lirë të organizojmë çka duam ne, shihet qartë se mungon vullneti për të organizuar çfarëdo iniciativë të përbashkët”, thekson Kurtishi

Sipas Kurtishit, Maqedonia do të reflektojë vlera të një shteti të mirëfilltë demokratik vetëm pasi të ketë eliminuar të gjitha format që diskriminojnë shqiptarët.

“Marrëdhëniet ndëretnike do të përmirësohen dhe organizimet e këtilla të përbashkëta do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u shtuar në proporcion të drejtë në mungesën e diskriminimit ndaj shqiptarëve”.

“Pra, kur qytetarët shqiptarë të ndihen të lirë, jo të diskriminuar në këtë vend, atëherë besoj se edhe rinia shqiptare, bashkë me atë maqedonase dhe etnitetet e tjera këtu, do të organizojnë jo të detyruar, pra nën presionin e politikës, por me vullnetin e tyre manifestime po edhe iniciativa për të realizuar qëllime të caktuara bashkërisht”, shprehet Kurtishi.

Nga ana tjetër, Petrit Saraçini nga sektori civil, thotë se pikërisht OJQ-të mund të ndikojnë në përmirësimin e kësaj gjendjeje, madje shumë më tepër se vetë politika:

“Sa i përket marrëdhënieve ndëretnike më duhet të theksoj se sektori civil në Maqedoni ka dhënë kontribut shumë të madh në përmirësimin e raporteve mes etniteteve të ndryshme , madje mund të them se sektori civil në këtë drejtim ka kontribuar në masë shumë më të madhe sesa vetë institucionet shtetërore apo vetë elitat politike”.

“Më duhet të theksoj se shumë projekte të realizuara që kanë ndihmuar në relaksimin e raporteve ndëretnike, janë rezultat i OJQ-ve”.

Megjithatë Saraçini shpreh shqetësimin se në Maqedoni dallimet mes të rinjve shqiptarë dhe atyre maqedonas janë aq të thella saqë është shumë vështirë që interesat e tyre të artikulohen në realizimin e qëllimeve të përbashkëta

“Nuk ka forcë e cila do t’i bashkojë ata për ta artikuluar këtë interes në opinion si qëllim i përbashkët pa marrë parasysh se cilit etnitet i takojnë”, shprehet Sarçini.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së fundmi në media ka promovuar një fushatë, përmes së cilës synon përmirësimin e raporteve ndëretnike dhe kultivimin e tolerancës ndërmjet etniteteve të ndryshme në vend, si vlerë demokratike.
XS
SM
MD
LG