Ndërlidhjet

Shënimi i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si asnjëherë më parë, po përcillet me aktivitete të shumta në shtetin e Kosovës. Liderë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia janë mbledhur të dielën në Mitrovicë, ku është vendosur dhe zbuluar shtatorja e heroit të shqiptarëve, Isa Boletini.

Me këtë rast, janë rikujtuar përpjekjet historike të shqiptarëve në Ballkan për të ndërtuar shtetin e tyre, që sot e 100 vjet njihet me emrin Shqipëri dhe përpjekjeve të Kosovës që u realizuan tek më 17 Shkurt të vitit 2008 me shpalljen e pavarësisë, por jo si një shtet etnik, por shumë-etnik.

Në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë, kryeministri Hashim Thaçi tha se përpjekjet për çlirimin e tokave shqiptare nuk u ndalën kurrë.

Duke potencuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete që kanë orientime pro-evropiane dhe pro integrimit në NATO, kryeministri Thaçi tha po ashtu se shqiptarët në Ballkan sot janë më të bashkuar se kurrë.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë shënon fillimin e ri për të gjithë shqiptarët, shekullin e ri. Shekullin e fuqizimit dhe bashkimit të kombit shqiptar. Urime të gjithëve”, tha Thaçi.

I shpallur hero kombëtar i shqiptarëve, Isa Boletini nga fshati Boletin i Mitrovicës, ishte një prej figurave kyçe të kohës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit shqiptar në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912 nga dora e Ismail Qemalit.

Mirëpo, ideali i tij nuk ishte sendërtuar atë kohë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërinë.

Por, në këtë manifestim të ngritjes së shtatores së tij në Mitrovicë, për të rrumbullakuar një simbolikë gjithëpërfshirëse, kishin ardhur edhe përfaqësues politikë nga Shqipëria, Maqedonia dhe vise tjera ku jetojnë shqiptarët.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, rikujtoi një pjesë të historisë protagonist i së cilës ishte vetë Isa Boletini.

Lulzim Basha dhe Ali Ahmeti

Lulzim Basha dhe Ali Ahmeti

Lordi Edward Grey, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe i pati premtuar solemnisht Isa Boletinit se do të bënte çmos që Mitrovica të ishte Shqipëri në Konferencën e Londrës. Isa Boletini dhe 400 trimat e tij më të mirë mbrojtën pavarësinë mbarë shqiptare, aso kohe ende e brishtë si një foshnje”.

“Ata mbrojtën qeverinë e Ismail Qemalit dhe ishin garda e parë shqiptare e shtetit modern shqiptar në vitin e trazuar 1912. Ishin, pra, paraardhësit tuaj, ku jemi mbledhur sot në këtë çast solemn e të paharrueshëm, ata që e sollën përmes kryengritjes dhe më pas e mbrojtën si askush tjetër pavarësinë shqiptare”, u shpreh Basha.

Shtatorja e Isa Boletinit e vendosur në Mitrovicë, qytetin ende më të trazuar të Kosovës, për kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia, Ali Ahmeti, ka edhe simbolikën e vet. Sipas tij, ky është edhe një mesazh se nuk ka ndarje të Kosovës dhe se cenimi i integritetit të Kosovës do të nënkuptonte një destabilizim të ri në mbarë rajonin.

“Nuk ka ndarje të Kosovës. Nuk ka cenim të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, sepse kjo është e rrezikshme për të gjithë popujt e Ballkanit dhe mbase paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të shkojnë të gjitha në vend duke respektuar këtë integritet dhe sovranitet të tërësishëm të Kosovës”, theksoi Ahmeti.

Kremtimet për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit të shqiptarëve kanë filluar me aktivitete të shumta edhe në Kosovë.

Më 27 nëntor, një ditë para se Shqipëria të festojë 100-vjetorin e shtetësisë, pritet të përurohet edhe autostrada “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”, e cila do të lidhë Kosovën dhe Shqipërinë përmes një infrastrukture moderne rrugore, por që në ta ardhmen parashihet të shtrihet edhe në vendet tjera të rajonit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG