Ndërlidhjet

KFOR-i takon serbët e veriut


KFOR në Kosovë
KFOR në Kosovë
Pas tensioneve që u shpërfaqën gjatë javës së kaluar në pjesën veriore të Kosovës, misioni i NATO-s në vend ka nisur konsultimet me përfaqësuesit e serbëve lokalë të asaj zone me qëllim zgjidhjen e problemit.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i bëri të ditur se në orët e pasdites të së hënës në kampin Notting Hill ka zhvilluar një takim me dy nga përfaqësuesit e serbëve të veriut- zotin Pantiq dhe zotin Milloviq “për të adresuar situatën në Kroin e Vitakut”.

“Gjatë takimit të shkurtër KFOR-i nënvizoi pakënaqësinë lidhur me zhvillimet në zonën e Kroit të Vitakut dhe ka theksuar se përfaqësuesit e komunitetit mbahen përgjegjës për tensionet e ngritura”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e komuniteteve thuhet se janë informuar se nuk I takon KFOR-it të vendos për ligjshmërinë e përpjekjeve për ndërtimin e shtëpive në atë lagje.

“KFOR-i ua ka tërhequr vërejtjen përfaqësuesve të komunitetit të përmbahen nga çdo akt i cili mund të interpretohet si ngritje e tensioneve dhe pengesë në progres”, theksohet në komunikatë, ndërsa bëhet e ditur se zotit Pantiq dhe Molloviq u është ritheksuar se të vetmet mekanizma të cilëve u lejohet të bartin armë në Kosovë janë: KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Në rast se KFOR-i sheh ndokënd tjetër të armatosur apo duke e kërcënuar ambientin e qetë dhe të sigurt në çfarëdo mënyre tjetër, KFOR-i është plotësisht i autorizuar të reagojë shpejt dhe në mënyrë të vendosur dhe të kujdeset që keqbërësit do të sanksionohen. Përfundimisht përfaqësuesit e komunitetit gjithashtu do të mbahen përgjegjës”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga misioni.

Reagimi i KFOR-it vjen pas një varg incidentesh në veri të Mitrovicës të banuar kryesisht me serbë.

Tensionet ndër-etnike u përshkallëzuan gjatë javës së kaluar në lagjen “Kroi i Vitakut” ku grupe të ndryshme serbësh kundërshtuan rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptar të asaj lagje.(e.p.)
XS
SM
MD
LG