Ndërlidhjet

logo-print

“Rruga e Kombit” lëshohet në qarkullim pa ceremoni


Protesta pranë autostradës “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”

Protesta pranë autostradës “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”

Autostrada “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova” është lëshuar në qarkullim pa ndonjë ceremoni shtetërore për shkak të protestave të një grupi qytetarësh të cilët ishin mbledhur në vendin e përurimit duke kërkuar lirimin e Fatmir Limajt.

Protesta është organizuar nga ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 121 “Kumanova” të cilët kanë kushtëzuar mbajtjen e ceremonisë me lirimin e Fatmir Limajt, i akuzuar nga EULEX-i për krime lufte, për çka edhe po mbahet në paraburgim prej 30 ditësh.

Protestuesit, kanë hipur në binën ku është dashur të mbahet ceremonia e përurimit të segmentit të 5-të të autostradës në vendin e quajtur Gjurgjicë. Policia ka qenë e pranishme, por nuk ka ndërhyrë.

Një ish-bashkëluftëtar i Fatmir Limajt nga brigada 121 “Kumanova“me emrin Naim Bujupi i përjeton rëndë paraburgosjen dhe akuzat ndaj ish-komandantit të tij. Ai beson se UÇK ka bërë luftë të drejtë.

Kjo është padrejtësi shumë e madhe. Ta merr komandantin, ta merr gjeneralin, ta merr ushtarin, t’i merr njerëzit dhe pse t’i merr, për asgjë hiq. Ne iu ndihmuan në ndjekjen e krimineleve. Ata ishin kriminelë. Ata erdhën të na e dhunojnë tokën, familjet, të na i dhunojnë gratë, vajzat dhe t’i masakrojnë..., këto kanë ndodhë gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Bujupi.

Reagojnë institucionet

Kryeministri Hashim Thaçi, homologu i tij nga Shqipëria Sali Berisha, pastaj edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracy Jackobson dhe përfaqësues tjerë ndërkombëtar e vendas, janë kthyer pas, duke hequr dorë nga ceremonia.

Presidentja dhe Qeveria e Kosovës, kanë shprehur keqardhje për anulimin e ceremonisë.

Në reagimin e saj, presidentja Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka thënë se “përurimi i Udhës së Kombit ‘Ibrahim Rugova’, veprës të përbashkët madhore, është përmbushje e një ëndrre dhe synimi të kamotshëm”.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të shfaqin maturinë “që na ka karakterizuar si shoqëri përballë sfidave shumë të rënda në të kaluarën, prej të cilës dolëm fitimtarë dhe t’ju besojmë institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të tyre”.

Po ashtu, nëpërmjet një komunikate gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka sqaruar se "anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia".

"Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon qytetarët e shumtë, që kanë ardhur për të festuar, në veçanti falënderon dhe u kërkon mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores e Turqisë në Prishtinë, Ozan dhe shumë personaliteteve tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishin paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni", thuhet në komunikatën e qeverisë.

Protesta

Diku para orës 12, protestuesit mësuan se nuk do të ketë ceremoni zyrtare, kështu që ata u larguan nga Gjurgjica për në Malishevë ku ka vazhduar protesta edhe për disa orë.

Gjatë gjithë kohës, protestuesit kanë brohoritur “liri për Fatmir Limajn”. Kurse kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës për Malishevë, Enver Jakup Hoti iu drejtua masës së tubuar me një fjalim, ku ai mbrojti luftën e UÇK-së dhe veprimtarinë e komandantit të kësaj zone, Fatmir Limaj.

Akuzat të cilat në të gjithat rastet e deritanishme edhe nga vet organet e drejtësisë janë shpallur të pabaza. Këto akuza u provuan nga drejtësia në Hagë, në Kosovë, duke përdorur çdo metodë vetëm e vetëm që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të dënohen për krime, por asnjëherë nuk gjetën fakte për këtë. A e dini pse jo – sepse UÇK-ja nuk ka bërë krime, por ka bërë luftë për çlirim nga robëria serbe”, ka thënë Hoti.

Ish-komandanti i UÇK-së si dhe deputeti dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, me vendim të Gjykatës Supreme po mbahet në paraburgim sipas një akuze që e ngarkon atë me dyshime për krime lufte.

Limaj, ka qenë ministër i Transportit pikërisht në kohën kur kjo autostradë kishte filluar të ndërtohej në pjesën e Kosovës, ndërkohë që shtrirja e saj në territorin e Shqipërisë kishte përfunduar.

Përurimi i autostradës “Rruga e Kombit - Ibrahim Rugova” ishte planifikuar nga qeveria e Kosovës si një prej shënimeve kulmore në kuadër të kremtimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditës së flamurit shqiptar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG