Ndërlidhjet

Qeveria shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë


Autostrada Kosovë-Shqipëri

Autostrada Kosovë-Shqipëri

"Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të Autoudhës së Kombit, sot në orën 10:00, që ishte edhe moment i shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë", thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës.

"Anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia", thuhet në njoftim, në të cilin "falenderohen qytetarët, që kanë ardhur për të festuar, në veçanti falënderohen dhe u kërkohet mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores e Turqisë në Prishtinë, Ozan dhe shumë personaliteteve tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishte paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni".

"Qeveria konsideron se është kohë feste kombëtare dhe secili duhej dhe duhet të jemi të përmbajtur që ta ruajmë këtë atmosferë festive", thuhet në njoftim.

Ndryshe, më herët, protestuesit kanë liruar vendin ku ishte paraparë që të mbahej përurimi i segmentit të 5-të të autostradës “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”.

Për më gjatë se dy orë, ata kanë qëndruar në fshatin Gjurgjicë, në vendin dhe kohën kur ishte paraparë mbajtja e ceremonisë së përurimit të kësaj autostrade e cila lidh Kosovën dhe Shqipërinë me një infrastrukturë moderne rrugore.

Protestuesit, me brohoritjet "Liri për Fatmir Limajn", kishin dalë për të kundërshtuar arrestimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe tre ish bashkëluftëtarëve të tij.

Nën akuzat për krime lufte, Gjykata Supreme e Kosovës u ka shqiptuar katër të akuzuarve masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
XS
SM
MD
LG