Ndërlidhjet

Hoxhaj: Strukturat ilegale, kërcënim për rajonin


Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur fjalim në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar raporti për zhvillimet në Kosovë, në periudhën 16 korrik – 15 tetor të vitit 2012, të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-moon.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i MPJ-së, Hoxhaj, para përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS të OKB-së, ka prezantuar zhvillimet e rëndësishme në Republikën e Kosovës gjatë tre muajve të fundit.

Ai është përqendruar në zhvillimet kyçe, siç janë përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, fillimi i vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, si dhe faza e re e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Lidhur me gjendjen në komunat veriore të Kosovës, ministri Hoxhaj tha se Qeveria dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe për rajonin.

“Sidoqoftë, më duhet të kam këtu përsëri vëmendjen tuaj, që situata në komunat veriore të Kosovës mbetet e tensionuar dhe sfiduese, siç konfirmon edhe raporti i sekretarit gjeneral. Në shkelje të plotë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Serbia vazhdon të udhëheqë, kontrollojë dhe financojë njësitë ilegale policore paramilitare në këtë pjesë të Kosovës. Kjo situatë duhet të ndalohet. Përsëri, unë i bëj thirrje Serbisë që të shpërbëjë këto struktura ilegale”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj ritheksoi se këto struktura ilegale janë një kërcënim i madh për stabilitetin, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe se qëllimi i tyre është që të pengojnë funksionalizimin e shtetit të Kosovës, të destabilizojnë Kosovën dhe të krijojnë ndarje etnike mes komuniteteve.

“Shembulli i fundit i kësaj situate është incidentit i motivuar etnikisht te Kroi i Vitakut në pjesën veriore të Mitrovicës, ku strukturat ilegale serbe iu kundërvihen kthimit të shqiptarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Ne dënojmë këtë provokim dhe mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e shtëpive të djegura dhe të rrënuara. Nëse kjo situatë vazhdon, kjo do të jap një impakt negativ në stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës. Prandaj, ne mbetemi të angazhuar për situatën në komunat veriore të veriut dhe atje është nevoja për një sistem të integruar të jetës në përputhje me planin e Marti Ahtisaarit”, u shpreh Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG