Ndërlidhjet

Serbët e veriut paraqesin kushte për IBM-në


Vendkalimi kufitar Jarinë
Vendkalimi kufitar Jarinë
Kryetari ilegal i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të pranojnë zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), nëse “ajo nënkupton vendosjen e kufirit me Serbinë qendrore”.

Ai i ka bërë këto komente në Beograd, pas takimit që presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq dhe kryeministri Ivica Daçiq kanë zhvilluar me përfaqësuesit e serbëve të veriut.

“Kemi marrë garanci nga presidenti dhe kryeministri që në kuadër të dialogut teknik, do të bëhen përpjekje që marrëveshja të përmirësohet në atë kuptim që serbët të mos kenë nevojë të nxjerrin dokumentet e Kosovës, të mos ndërrojnë targat serbe dhe të mos i paguajnë doganë të ashtuquajturit shtet të Kosovës”, u ka thënë Ristiq gazetarëve në Beograd.

Ai po ashtu ka deklaruar se serbët e Kosovës kanë të drejtë të organizojnë protesta paqësore nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në muajin shkurt, por zbatimi i saj ka ngecur.

Gjatë takimit të fundit në Bruksel, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, janë dakorduar që së shpejti të nisin me zbatimin në praktikë të saj.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje po ashtu është njëri nga kushtet që i ka vënë Bashkimi Evropian Serbisë, për të marrë datën e negociatave të anëtarësimit në këtë bllok.
XS
SM
MD
LG