Ndërlidhjet

Kosovarët, optimistë për vendimin e FIFA-s


Takimi i radhës i Komitetit të Federatës Botërore të Futbollit - FIFA, i cili pritet të mbahet në Tokio, me datën 14 të këtij muaji, do të jetë momenti kur do të vendoset nëse futbollistët dhe skuadrat kosovare do ta marrin lejen për ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, shpresojnë se do të vendoset në favor të futbollit kosovar dhe se do të realizohet premtimi i kryetarit të FIFA-s, Sep Blater, i cili në muajin maj të sivjetmë pati thënë se është vendosur që Kosova, edhe pse nuk është anëtare e saj, mund të luajë ndeshje miqësore.

Por, pas protestës së fuqishme nga Federata Serbe e Futbollit, FIFA më pas pati pezulluar vendimin derisa të deklarohet Komiteti i saj Ekzekutiv.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke shpresuar që në mbledhjen e radhës të Komitetit të FIFA-s, t’u jepet fund peripecive të futbollit kosovar.

Vokrri thotë se drejtuesi i FIFA-s, Blater, e ka përkrahur futbollin kosovar edhe në takimin e fundit që e ka pasur rreth një muaj e gjysmë më parë në Gjenevë, në Klubin Diplomatik të Gjenevës.

“Zoti Blater, në mënyrë të hapur u është drejtuar shteteve të Bashkimit Evropian, që kanë qenë të pranishme përmes ambasadorëve dhe konsujve të tyre, që futbolli i Kosovës ka të drejtë të luaj. Ai ka bërë pyetjen se pse 22 nga 27 shtete (të BE-së) që e kanë pranuar Kosovën, janë aq, të mos them, të padrejta ndaj çështjes së Kosovës. Ne shpresojmë që me datën 14 dhjetor, në mënyrë definitive tu jepet fund këtyre peripecive që datojnë që nga muaji maj, kur ishte sjell vendimi në Budapest të Hungarisë”, thotë Vokrri.

Edhe zyrtarët qeveritarë në vend, përgjegjës për sportin, presin një vendim pozitiv për Kosovën nga FIFA.

"Pranojeni Kosovën në UEFA"
"Pranojeni Kosovën në UEFA"

Malsor Gjonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet qeveritare i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Federatës së Futbollit të Kosovës për të siguruar lejen e dëshiruar nga FIFA.

“Ne presim që në këtë takim (në Tokio) të lejohen zhvillimet e ndeshjeve miqësore, sepse ndërkohë ne jemi munduar dhe kemi lobuar fuqishëm nëpër institucionet ndërkombëtare relevante sportive, por edhe në qarqet e ndryshme politike, në mënyrë që të lejohen ndeshjet miqësore. Aq më tepër të lejohet pjesëmarrja e të rinjve tanë në gara dhe në arenën ndërkombëtare, sidomos në ndeshje miqësore”.

“Është e drejtë elementare kjo, që ne presim të realizohet në këtë mbledhje, sidomos kur kjo temë është shtjelluar edhe gjatë takimeve që i kishim me përfaqësuesit e Komitetit Olimpi Ndërkombëtar, të cilët ishin për vizitë në Kosovë”
, thekson Gjonbalaj.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri, pohon mbështetjen e institucioneve qeveritare, duke thënë se në vazhdimësi është bërë një lobim i përbashkët për ta siguruar lejen nga Komiteti i FIFA-s.

Sipas tij, ekzistojnë mjaft sinjale pozitive lidhur me këtë çështje, por, siç thotë ai, kjo çështje ende nuk duhet konsideruar si punë e kryer.

Sepp Blatter dhe Fadil Vokrri, maj 2012...
Sepp Blatter dhe Fadil Vokrri, maj 2012...
“Shenja kemi pasur ne, por.... Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse edhe në mbledhjen e kaluar kemi pasur shenja pozitive, mirëpo epilogun ne e pamë të gjithë. Mirëpo, unë mendoj se një takim (i FIFA-s) që është dashur të zhvillohet në Rusi, ndoshta ka qenë edhe arsyeja se pse është shtyrë vendimi që të merret në dhjetor. Ne shpresojmë se pas kësaj mbledhjeje, do të jetë gjithçka e qartë dhe kemi shpresa se do të marrim një rezultat pozitiv”, shprehet Vokrri.

Ndryshe, lidhur me lejimin e futbollistëve dhe skuadrave të Kosovës që të zhvillojnë takime ndërkombëtare miqësore, drejtuesit e FIFA-s patën deklaruar se do të vendosin në muajin dhjetor.

Në fund të muajit shtator, Blater pati theksuar se “Komiteti Ekzekutiv mendon se është e nevojshme të lihet kohë për të adresuar çështjet e pazgjidhura”, duke shtuar se për çështjen e Kosovës “do të flitet në Tokio më 14 dhjetor”.
XS
SM
MD
LG