Ndërlidhjet

VOX

Ndikimet politike pengojnë të rinjtë


Prishtinë (Foto nga arkivi)

Prishtinë (Foto nga arkivi)

Ndikimi i politikës në segmentet tjera siç janë arsimi, shëndetësia apo gjykatat, është i evident dhe gati i pashmangshëm në Kosovë, vlerësojnë disa të rinj.

Qytetarë të ndryshëm në kryeqytet, në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, tregojnë se në shumë raste kur ata kanë shkuar në ndonjë institucion arsimor, shëndetësor apo të ndonjë fushe tjetër, ata e kanë vërejtur ndikimin e politikës.

Driton Pllana, 20 vjeç, thotë se politika nuk ka lënë pa prekur as një element tjetër të jetës:

“Në Kosovë politika ndikon shumë në të gjitha fushat, në të gjitha institucionet. Nuk ka pasur rast të shoh ndikimin e politikës në ndonjë fushë, por kam dëgjuar nga shoqëria”.



Njëri nga kriteret që duhet të përmbushë Kosova për të arritur progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është pavarësia e sistemit të drejtësisë. Por, disa të rinj konsiderojnë se autoritetet e Kosovës kanë ndërhyrë hapur në sistemin e drejtësisë.

Zylfije Rekalia, studente në Fakultetin e Juridik në Universitetin e Prishtinës, mendon se në sistemin gjyqësor politika ka ndikim të madh dhe ajo vërehet më së shumti kur trajtohen rastet e korrupsionit.

“Sistemi gjyqësor duhet të jetë shumë i pavarur, mirëpo në Kosovë kjo nuk ndodh. Ndikimi i politikës ka bërë që të kemi një sistem të mangët gjyqësor. Institucionet tona ndikojnë në masë të madhe në gjyqësor”, mendon Rekalija.

Edhe raportet e ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare e kanë cilësuar se gjyqësori në Kosovë është i ndikuar nga politika. Ato raporte kishin vlerësuar se ekziston një perceptim se politika e ushtron ndikimin në gjyqësor.

Një ndikim i politikës nga disa të rinj shihet edhe te punësimi. Nëse do që të punësohesh në ndonjërin nga institucionet publike, pavarësisht aftësimit profesional, sipas Arben Miftarit, kusht kryesor është të jesh anëtar i asaj partie politike, e cila udhëheq atë sektor.

“Ndikimi i politikës në çështjet e punësimit, është bërë një gjë e paevitueshme. Nuk mund të gjesh punë nëse nuk e njeh dikë nga politika. Ndikimi i politikës në këto gjëra është negativ, por në Kosovë është bërë gjë normale”, thotë Arbeni.

Ndonëse në shumë raste i panevojshëm, ndikimi politikës, thotë i riu Alban Rexha, është edhe në institucionet arsimore. Ndikimi i politikës, siç thotë Rexha, është parë në rastet e regjistrimit të studentëve në fakultete.

“Ndikimi i politikës më së shumti është parë në pranimin e studentëve në fakultete. Ka pasur ndërhyrje të panumërta. Në aspektet tjera nuk e kam parë”, tregon Albani.

Fatkeqësisht, sipas Floriana Bajramit, studente, sistemi arsimor në Kosovë është i politizuar. Në arsim ka profesorë që janë pjesë e partive politike.

“Politika ka ndikim të jashtëzakonshëm në sistemin arsimor. Punësimi i profesorëve bëhet përmes politikës, kemi një sistem arsimor të politizuar”, thekson Floriana.

Ndikimet politike nga qytetarët pothuajse vërehen në çdo sferë. Flora Loshi, dizajnere, thotë se me apo pa dashje, në Kosovë, nuk ka mbetur asgjë pa u politizuar:

“Po flas për profesionin tim. Vërehet qartë, se nëse nuk je pjesë e një partie politike dhe ke një projekt për përftim grantesh, nuk do të mund të fitosh, nëse nuk ke dikë që e njeh nga sfera e politikës. Në këto raste, përfiton një projekt, i cili ka pasur ndikim - ndonjë individ nga politika dhe jo një projekt tjetër. Kështu po humbim pasi që një projekt i mirë, po mbete në sirtarët e ministrive, derisa po fiton një projekt pa vlerë”.

Po ashtu, edhe sektori i shëndetësisë është cilësuar një sektor ku politika ka pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme.

I riu Leutrim Reka tregon një rast kur ai vetë e ka parë ndikimin e politikës në shëndetësi.

“Një rast në Qendrën Klinike Universitare në Emergjencë, kanë qenë dy persona, të cilët kanë kërkuar ndihmë. Ai që ka qenë në radhë i pari për të hyrë në operacion, e kanë larguar dhe e kanë futur atë tjetrin, i cili ka qenë pjesë e politikës, apo ka pasur dikë nga familja anëtar të ndonjë partie”, shprehet Leutrimi.

Një ndikim i partive politike që janë në pushtet është parë në vitin e kaluar edhe te sindikatat që përfaqësojnë punëtorët. Ky ndikim kishte bërë që këta të fundit të përçahen, duke dëmtuar kështu punëtorët.

E njëjta gjë po ndodh edhe në ekonomi. Një vlerësim i ekspertëve të ekonomisë është dhënë edhe për ndikimin e politikës në ekonomi. Ata vazhdimisht pohojnë se zhvillimi i veprimtarisë së disa ndërmarrjeve private në Kosovë kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike, e konkretisht me partinë, e cila është në pushtet; në të kundërtën, ndërmarrjet mund edhe të falimentojnë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG