Ndërlidhjet

Britani, Francë, Suedi: Protestohet vendimi i Izraelit


Pamje e një vendbanimi izraelit afër Jerusalemit
Pamje e një vendbanimi izraelit afër Jerusalemit
Britania, Franca dhe Suedia kanë protestuar ndaj vendimit të Izraelit për t’i ndërtuar 3 mijë shtëpi të reja në Bregun Perëndimor.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Izraelit, Paul Hirschson, tha sot se ambasadorët izraelitë në Paris, Stokholm dhe Londër, janë ftuar për t’i dëgjuar pakënaqësitë zyrtare lidhur me këtë vendim.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka tërhequr vërejtjen se vendbanimet e reja do të jenë “pothuajse goditje fatale” për perspektivën e paqes.

Në kumtesën e Kombeve të Bashkuara, mëtutje, theksohet se projekti i ndërtimit do ta rrezikoj “izolimin e tërësishëm” të Jerusalemit Lindor, nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor.

Shpallja e Izraelit për vendbanime, u bë në fund të javës së kaluar, një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me shumicë të madhe votash e përmirësoi statusin palestinez në OKB, prej “entitetit vëzhgues” në “shtet vëzhgues joanëtar”.

Izraeli e ka intensifikuar presionin të dielën, duke shpallur se i ndalë afro 100 milionë dollarë tatime, që janë mbledhur për t’ia dërguar Autoritetit Palestinez. “Ato do të përdoren për ta paguar borxhin e Autoritetit Pelstinez për kompaninë izraelite të rrymës elektrike”, pat thënë ministri izraelit i financave, Yuval Steinitz.
XS
SM
MD
LG