Ndërlidhjet

KFOR: Për tensionet në veri- përgjegjës kryetarët e komunave


UShtarë të KFOR-it, Mitrovicë
UShtarë të KFOR-it, Mitrovicë
Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Volker Halbauer, në një takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, ka adresuar incidentet e fundit në zonën e Kroit të Vitakut.

Sipas një komunikate për media të KFOR-it, Halbauer ka shprehur zhgënjimin e tij me zhvillimet e tilla.

Komandanti i KFOR-it theksoi se “kryetarët përgjegjës të komunave dhe përfaqësuesit e komunitetit, pavarësisht etnicitetit apo anëtarësisë partiake duhet të mbahen përgjegjës në qoftë se tensionet ndodhin përsëri”.

Në kontekstin e njejtë, Halbauer ka përsëritur se KFOR-i nuk ka rol në vlerësimin e aspekteve ligjore apo politike të aktiviteteve të ndërtimit dhe rindërtimit në Kosovë, por se këto aktivitete duhet të menaxhohen në frymën e pajtimit dhe dialogut.

Ai ka kujtuar se “të gjithë akterët duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili mund të rrisë tensionet dhe çojë në dhunë”.

Në javët e fundit ka pasur tensione të vazhdueshme, përfshirë edhe të shtëna me armë në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë, në të cilën pjesë po rindërtohen shtëpitë e shqiptarëve të zhvendosur.

Serbët lokalë janë përpjekur që të ndërprejnë punimet.
XS
SM
MD
LG