Ndërlidhjet

Jahjaga takon homologët e rajonit


Presidentja Jahjaga gjatë takimit me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Presidentja Jahjaga gjatë takimit me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Samiti katërt i presidentëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor: Republikës së Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, ka nisur sot punimet në Budvë të Malit të Zi, fillimisht me takimet bilaterale ndërmjet delegacioneve të vendeve.

Në takimet e ndara me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, atë të Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe atë të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit dhe për krijimin e lehtësive për qytetarët e këtyre vendeve.

Në takimet dypalëshe, presidentët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë theksuar se e ardhmja e përbashkët është integrimi në strukturat euro-atlantike dhe se “rruga e integrimeve është më e lehtë duke bashkëpunuar ndërmjet vete”.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka anuluar pjesëmarrjen në këtë samit për shkak të, siç kanë raportuar mediat serbe, pranisë së presidentes Jahjaga dhe vendimit të Gjykatës së Hagës për të liruar nga të gjitha akuzat ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Samiti i presidentëve po vazhdon me takimin multilateral.
XS
SM
MD
LG