Ndërlidhjet

Prelec: Serbia ende i mban “letrat” në rezervë


Marko Prelec
Marko Prelec

“Nuk duhet të jemi shumë optimistë, sepse Serbia ende po i mban ‘letrat’ në rezervë për një fund-lojë që mund të vijë më vonë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Marko Prelec, drejtor i projektit për Ballkanin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Prelec, të martën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçic, konkretizuan zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Në ndërkohë, serbët në veri të Kosovës protestuan kundër zbatimit të kësaj marrëveshje. A prisni që kjo marrëveshje të zbatohet suksesshëm më 10 dhjetor kur dhe është planifikuar të nis zbatimi i saj?

MARKO PRELEC
Të dyja palët kanë investuar shumë në këtë dhe duket se po bëjnë gjithçka çfarë munden për t’u siguruar që ajo të zbatohet suksesshëm. Ajo çfarë mund të presim është një, siç quhet, hapje e lehtë. Pra, nuk do të duket si një kufi i plotë dhe i rregullt, por do të jetë një dallim i qartë nga status quo-ja.

Për herë të parë, postet serbe dhe kosovare do të punojnë afër njëra-tjetrës. Vendimi i Serbisë që pikën më kontroverse, atë në Jarinjë, ta vendos në nën kontrollin e saj është një sinjal i fuqishëm se ata qëndrojnë prapa kësaj dhe se nuk do të tolerojnë ndonjë dëmtim të dhunshëm nga popullata lokale.

RADIO EVROPA E LIRË
Para takimit, zoti Thaçi tha se zbatimi i kësaj marrëveshje është një kthese meqë vendos kufijtë në mes të dyja shteteve. Çfarë mendoni ju duke e ditur qëndrimin e Serbisë karshi shtetësisë së Kosovës?


MARKO PRELEC
Serbia është mjaft apatike që veriu të bëhet kufi dhe ai nuk do t’u përngjajë kufijve ndërmjet shteteve që kanë marrëdhënie normale. Serbëve lokalë thuhet se do t’u lejohet kalimi me vetura që bartin tabela jolegale serbe, të cilat nuk do të detyrohen t’i heqin. Kështu do të ndodhë në fillim, por kjo mund të ndryshojë më vonë.

Ajo që po përpiqen të bëjnë të dyja palët është të zbatojnë diçka, t’u japin kohë njerëzve që të mësohen me atë dhe të shohin pastaj se si të vazhdojnë nga aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Një vendim tjetër që u mor në takimet e djeshme ishte hapja e Zyrave Ndërlidhëse me mbështetjen e BE-së në Prishtinë e Beograd. Çfarë nënkupton kjo për të dyja palët, e veçanërisht për Kosovën dhe a mund të merret si hap drejt njohjes së Kosovës nga Serbia?

MARKO PRELEC
Kjo është fusha ku pritet më së shumti progres. E kemi parë këtë edhe në iniciativat e tjera si ajo për përfaqësimin rajonal që duket se po funksionon shumë mirë.

Ka shumë raporte që flasin për një bashkëpunim mjaft të mirë ndërmjet ministrave serbë dhe homologëve të tyre kosovarë në samitet rajonale. Kjo na sjell një hap përpara me vendosjen e një zyrtari në delegacionin evropian në Prishtinë dhe anasjelltas. Kjo nuk do të jetë forma finale e marrëdhënieve të tyre institucionale.

Mendoj se prapë, po përpiqen të arrijnë diçka, mjaft kujdesshëm, të kalojë pak kohë dhe të shihet se si duhet vepruar më tej. Kjo nuk është njohje. Nuk duhet të jemi shumë optimistë, sepse Serbia ende po i mban këto ‘letra’ në rezervë për një fund-lojë që mund të vijë më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur prisni që fund-lojë, siç po e quani, të ndodhë. A ka të bëjë kjo me atë që Serbia pret nga BE-ja lidhur me anëtarësimin e saj?

MARKO PRELEC
Po, mendoj se janë një varg çështjesh në pyetje këtu: anëtarësimi i Serbisë, interesimi ende ekzistues në Serbi rreth ndryshimit të kufijve me Kosovën dhe sigurimi i kontrollit mbi veriun e Kosovës, apo të paktën, një lloj autonomie të zgjeruar për këtë zonë të banuar me serbë. Çfarë do të vendosnin ata në tryezë nga ana e tyre do të ishte njohja, pajtimi që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe zhbllokimi i rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Por, të gjitha këto gjëra janë disa vite larg.

Ajo, në të cilën po fokusohen palët janë çështjet mbi të cilat mund të pajtohen duke rritur shpejtësinë dhe cilësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Për shumë vite, ato kanë qenë si dy princesha të ulura mbi majat e kodrave duke i bërtitur njëra-tjetrës, pra, duke komunikuar përmes denoncimeve në media. Tani, është mjaft mirë t’i shohim ulur duke folur më shpesh dhe në mënyrë dukshëm më normale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Prelec, thatë se ndryshimi i kufijve do të vendosej në tavolinën e diskutimeve pas disa vitesh. Por, mbi një nga problemet ekzistuese-strukturat paralele serbe në veri, nuk është folur ende. A po zvarritet kjo çështje nga BE-ja dhe nëse po, pse?

MARKO PRELEC
Mendoj se kjo është në agjendë dhe ka shenja për diskutime, por asgjë konkrete mbi atë se çfarë do të ndodhë. Administrata serbe ka shumë elemente përbërëse, ka shërbime komunale, sistemi gjyqësor, strukturat policore-natyrisht të pauniformuara, shkolla, spitale, sistemi pensional dhe kompani publike.

Këto gjëra nuk janë një listë e vetme dhe disa nga ato janë më të ndjeshme për Kosovës se sa të tjerat.

Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet ndërmjet të dyja palëve dhe mendoj se do të jetë një avancim natyral nga zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, fillimi i normalizimit të doganave. Këto do të vendosen në agjendë, por marrëveshjet mbi këtë janë mjaft larg.

Veriu është shumë i vendosur për të mos i pranuar institucionet kosovare, andaj duhet të ketë mjaft diskutime për këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu aktual është dizajnuar me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve drejt integrimit të tyre evropian. Ju i përmendet vitet, por a mund të bëhet një pasqyrë kohore mbi periudhën kur Kosova e Serbia do t’i normalizonin marrëdhëniet tërësisht në mënyrë që të anëtarësohen tërësisht në BE?


MARKO PRELEC
Kjo nuk është e mundur. Ana negative e tërë këtij procesi është se po pajtohen për gjëra relativisht të mëdha-që është mirë, por mospajtimet mbi çështjet kryesore janë ende të mëdha. Këtë duhet gjithmonë ta kemi parasysh.

Ka ende mospajtime fondamentale mbi çështjen e statusit, integritetit territorial, mbi atë se çfarë do të ndodhë me popullatën serbe në Kosovë dhe një varg çështjesh të tjera. Këto janë krejt gjëra që janë shumë të vështira dhe nuk do të zgjidhen kaq thjeshtë.

Sigurisht që po flasim për vite e jo muaj-sipas të gjitha gjasave për shumë vite. Do të varet nga vendimet që merren në të dyja qendrat, reagimet e popullatës lokale në veri të Kosovës dhe politikës së BE-së që mund ta ndihmojë ose pengojë këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Pjesë e delegacionit kosovar në takimet e së martës në Bruksel ishte edhe Blerim Shala-koordinator politik i dialogut. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilës i takon Shala, është shprehur e gatshme për një përfshirje më të madhe në dialog dhe procese të tjera sidomos pas lirimit nga Tribunali i Hagës të liderit të saj, Ramush Haradinaj. A e shihni ju një rol të Haradinajt në qeveri apo në dialog?

MARKO PRELEC
Thuhet se Haradinaj është i interesuar; partia e tij ka bashkëpunuar dhe është koordinuar mjaft mirë me partinë qeverisëse-Partinë Demokratike të Hashim Thaçit. Kjo pritet të vazhdojë dhe emërimi i Blerim Shalës si koordinator është një sinjal për këtë.

Lirimi i Haradinajt i kontribuon palës kosovare rreth konsolidimit të ekipit negociator.

Me Thaçin dhe Haradinajn ata tani kanë një dyshe mjaft të fuqishme që mund të zbatojë çfarëdo vendime që merren. Kjo është natyrisht mjaft provokative në Serbi, por shpresoj se do të ftohet temperamenti mbi lirimin e Haradinajt. Ai nuk ishte i papritur dhe mendoj se reagimet e Serbisë kanë qenë mbytëse (të këtij temperamenti), sidomos deklarata e Daçicit se do të vazhdojë dialogu.
XS
SM
MD
LG