Ndërlidhjet

Fuele shpreh mbështetje për Serbinë dhe Kosovën


Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka thënë se Qeveria e Serbisë po tregon “guxim” dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Evropës që t’i përgjigjet me hapa të njëjtë.

“Qeveria e Serbisë, në raundin e fundit të dialogut me Prishtinën, ka treguar guxim. Asaj i duhet mbështetja jonë”, ka thënë Fuele, duke iu drejtuar të pranishmëve në Forumin për Përparimin e Ballkanit, në Bruksel.

Siç transmetojnë mediat serbe, Fuele ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së, për disa arsye, ndodhet në vështirësi, por edhe “Këshilli i Evropës duhet të tregojë guxim”.

“Këshilli duhet t’i ofrojë perspektivë të qartë evropiane Serbisë”, ka thënë ai.

Duke folur për Kosovën, diplomati evropian ka shprehur kënaqësinë se Kosova “më në fund është gjendur në rrjedhën kryesore të procesit të zgjerimit”.

Mbrëmë në Bruksel është zhvilluar takimi i tretë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.

Dy zyrtarët janë pajtuar që deri në fund të këtij viti, të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në katër vendkalime të përbashkëta kufitare.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur këtë marrëveshje qysh në muajin shkurt, në kuadër të dialogut teknik, por zbatimi i saj ka ngecur.

BE-ja ka porositur palët se përparimi në bisedime do të avanconte rrugën e tyre evropiane.
XS
SM
MD
LG