Ndërlidhjet

Për një vit mblidhen 1 miliard euro


Ilustrim
Ilustrim
Dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, deri në fund të vitit, sipas parashikimeve të Qeverisë, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard e 100 milionë euro.

Këto dy institucione deri më tani kanë arritur t’i mbledhin mbi 1 miliardë euro.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, janë mbledhur 768 milionë euro për buxhetin e Kosovës. Kjo shumë, sipas Stavilecit, tregon se të hyrat kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar.

“Matja reale e rritjes së të hyrave bëhet me vitin paraprak. Në të njëjtën periudhe në vitin e kaluar kemi pasur 557 milionë euro të grumbulluara, ndërsa tani jemi 2 për qind më shumë se sa vitin e kaluar”, thotë Stavileci.

Parashikimet buxhetore të Qeverisë së Kosovës, sipas përfaqësuesve të Doganave të Kosovës, do të arrihen të realizohen deri në 98 për qind, por kjo siç thekson Stavileci, varet nga performanca e përgjithshme e ekonomisë së Kosovës.

Merdar
Merdar
“Gjithmonë kur flasim për 768 milionë euro të mbledhura nga Doganat, për këtë vit mund të themi se është rekord më vete. Asnjëherë Doganat e Kosovës nuk kanë arritur të mbledhin më shumë se këto mjete që janë grumbulluar deri më tani. Ne, çdo vit e kalojmë vetveten”, thekson Stavileci.

Institucioni tjetër i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave është Administrata Tatimore e Kosovës, që deri në fund të vitit është parashikuar nga ekzekutivi të grumbullojë mbi 285 milionë euro.

Valentina Bytyçi, zëdhënëse në këtë institucion, tregon se në periudhën janar – nëntor ATK-ja ka arritur të mbledhë 257.6 milionë euro.

“Nëse krahasojmë periudhën janar - nëntor 2012 me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të hyrat në këtë periudhë janë më të larta për 7 për qind, shprehur në vlerë është 16.8 milionë euro. Janë realizuar 89.5 për qind e të hyrave të planifikuara për vitin 2012”, bën të ditur Bytyçi.

Bytyçi thotë se trendi i tanishëm i realizmit të të hyrave deri në fund të këtij viti, do të vazhdojë me një përmirësim të të hyrave dhe projeksionet e Qeverisë shpresohet se do të arrihen.

“Administrata Tatimore e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për mbledhjen e të hyrave. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit. Planet janë për të arritur projeksionet e përcaktuara, por nuk mund të flitet saktë deri në fund të muajit”, shton Bytyçi.

Mbushja e buxhetit nga këto dy institucione, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, ishte cilësuar si një mundësi jo nga më të mirat për një buxhet të qëndrueshëm.

Ata kishin vlerësuar se Kosova nuk bën të presë edhe në vitet e ardhshme të ketë këtë strukturë të njëjtë, sepse mund të bjerë në një krizë financiare, nga e cila, siç kishin theksuar ata, shumë vështirë mund të dilet.
XS
SM
MD
LG